“Kam ndjekur kriminelët gjithë jetën, s’kam pse t’i përkrah”, zbardhet dëshmia e Erzen Breçanit në GJKKO: As më ka shkuar ndërmend të pastroj para, nuk pranoj të…

Aktualitet

Publikuar: 03/02/2025

“Kam ndjekur kriminelët gjithë jetën, s’kam pse t’i përkrah”, zbardhet dëshmia e Erzen Breçanit në GJKKO: As më ka shkuar ndërmend të pastroj para, nuk pranoj të…

Gjykata e Posaçme vendosi të shpallë moskompetencën dhe ta dërgojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj ish-zv/drejtorit të Policisë së kryeqytetit, Erzen Breçani, dhe ish-punonjëses së policisë, Jonida Babameto.

Vendimi u mor pasi gjatë shqyrtimit të dosjes në seancë paraprake nuk u provua se Breçani dhe ish-zyrtarja e policisë kishin vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Të dy të pandehurit pritet të gjykohen me procedurë të zakonshme. Gjatë seancës, i pandehuri Breçani kundërshtoi akuzat e SPAK dhe tha se gjatë gjykimit do të provojë pafajësinë e tij.

“Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur nga SPAK. Për akuzën e ‘pastrimit të parave’, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK e thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite me disa biznese”, deklaroi Breçani.

Ai foli edhe për njohjen me një prej të pandehurve, Bujar Ajeti Gërmizi.

“Bujar Ajetin e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe te RENEA. Në dijeninë time, nuk ka qenë person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam pse të përkrah këtë kategori tani”, theksoi ai.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme pranoi gjykimin e shkurtuar për të pandehurit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe ish-zyrtarin e lartë të policisë, Dedan Gjoni. Këta të fundit akuzohen si anëtarë të një grupi kriminal që trafikonte kokainë, siguronin kushte për të kryer vrasje dhe bënin pastrim parash. Personat e tjerë që ndodhen ende në kërkim, mes tyre djali i Erzen Breçanit, Eralbi, si dhe Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023 dhe do të gjykohen në një proces të ndarë.