Nga Tirana në Jug të Shqipërisë, gazetari Bregu zbulon pronat që SPAK do t’i konfiskojë Ervis Martinajt

Aktualitet

Publikuar: 31/01/2025

Nga Tirana në Jug të Shqipërisë, gazetari Bregu zbulon pronat që SPAK do t’i konfiskojë Ervis Martinajt

Gazetari Sokol Bregu, duke komentuar vendimin e SPAK për të konfiskuar pasuritë e Ervis Martinajt, i ashtuquajtur “mbreti i kumarit” i zhdukur prej gushtit të dy viteve më parë, tha se shumica e pronave janë pasuri të patundshme, si toka dhe ullishte në Tiranë dhe në jug të vendit, ndërsa shoqëritë aksionere nuk kanë vlerë financiare. 

“Që kur e lexon njoftimin e SPAK për konfiskimin e pasurive, sheh një numër të madh tokash. Duket që ka patur shumë dëshirë të ketë ullishte dhe sipërfaqje tokash rreth e rrotull Tiranës dhe në Ksamil. Këto kanë qenë kryesisht ato që janë kapur. Pjesa tjetër, janë shoqëri që nuk i kupton dot në totalin e saj. 

Në pikën e shoqërive aksionere nuk ka ndonjë vlerë financiare. Ndërsa pjesa e sipërfaqjeve të tokës, janë të mëdha dhe kanë vlerë të konsiderueshme. Duhet të presim vendimin e GJKKO, me gjasë do të konfiskohen. Kështu ka ndodhur dhe me njërin nga miqtë e tij.

Ajo që kam vërejtur me kujdes, është fakti që i ka vajtur limiti ligjor SPAK. SPAK duke qenë se po i digjen afatet ligjore, ka shpejtuar me kërkesën e tij për konfiskim. Jo për ne, jo për median, por për familjen të ketë ndonjë dilemë se është i vdekur, por për SPAK në mënyrë juridike.

Interesi publik ndaj këtij personazhi është jashtëzakonisht i madh. Besoj se nuk ka ndonjë dëshirë për t’u zbardhur kjo ngjarje e zhdukjes së Martinajt.

Për shkak se Martinaj kishte shumë lidhje me gjyqësorin, me policinë, sic ka dalë edhe më vonë, me ndikimin e tij në qeveri, me ndikim në struktura të tjera, nuk kanë dashur të vazhdojnë këto hetime sepse mund të dilnin gjëra të tjera gjatë marrjes së dëshmitarëve. Pra, gjëja më e mirë, e harresës…”-tha Bregu.