Zgjedhjet – Karabina: Demokratët Euroatlantikë s’do bëjnë aleancë me ‘non grata’! Basha ka qenë i suksesshëm, i vetmi i ftuar në ceremoninë e Trump

Politikë

Publikuar: 27/01/2025

Zgjedhjet – Karabina: Demokratët Euroatlantikë s’do bëjnë aleancë me ‘non grata’! Basha ka qenë i suksesshëm, i vetmi i ftuar në ceremoninë e Trump

Demokratët Euroatlantikë nuk do të bëjnë koalicion me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha nëse do i duhen votat e kësaj aleance politike pas zgjedhjeve të 11 Majit. Kështu u shpreh Mirela Karabina, zëdhënësja e grupimit të ri politik të drejtuar nga Lulzim Basha dhe që janë ende në proces gjyqësor rekursi për vulën e PD-së.

Ajo u shpreh se pikërisht për shkakun se Rama kërkon të ketë përballë Berishën në zgjedhje, që ta ketë më të lehtë edhe fitoren e zgjedhjeve, “iu dha vula e partisë Berishës”.

“Shqiptarët duan alternativë njerëz të pakorruptuar. Të hapur për bashkëpunim me ata që duan vendin. Rama ia ktheu vulën Berishës, e do përballë atë në zgjedhje”, tha ajo në “Sot, Live në Shqipëri” në Report TV.

E pyetur se edhe Basha ka qenë në drejtim të institucioneve në qeverisjen e PD, Karabina nënvizoi, duke bërë thirrje që shqiptarët të votonin alternativën e formacionit të tyre politik, Aleanca Euroatlantike:

“Nëse Basha do kishte bërë abuzime, Rama do ia kishte nxjerrë në 12 vjet në qeveri. Shqiptarët duan alternativa. Basha ka qenë i suksesshëm, heqja e vizave, Rruga e Kombit, ministër i Brendshëm, Bashkia e Tiranës. Basha është alternativë”.

Në lidhje me përçarjet në PD, Karabina pohoi se PD po zvogëlohet çdo ditë e më shumë si produkt i rrugës që ndoqi.

“PD erdhi duke u zvogëluar sepse s’iu përmbajt boshtit të saj. Basha do e kthejë PD-në në kohët e vitit 1992”, tha ajo.

Por mohoi kategorikisht një koalicion me Berishën pas zgjedhjeve.

“Koalicion me Berishën në PD nuk do bëjmë, absolutisht. Ne kërkojmë dhe mirëpresim partnerë me aleatët strategjikë, që duan luftë ndaj korrupsionit, drejtësi dhe zhvillim të vendit. Nuk mund të bëjmë koalicion me njerëz që janë ‘non grata’ nga aleatët tanë strategjikë apo nën akuzë për korrupsion”, vijon zëdhënësja e DA.

Në fund foli edhe për ftesën që Basha pati për ceremoninë e betimit të presidentit Donald Trump, i vetmi nga Shqipëria.

“Basha po zhvillon takime ndërkombëtare, ka qenë i vetmi i ftuar në ceremoninë e Trump, tur dyditor në SHBA me takime. Basha nuk shkon për foto atje dhe as i publikon ato. Reforma në drejtësi do jetë e mbështetur nga ata edhe në vijim.

Populli nuk është budalla, por i mençur, të gjithë vuajmë tranzicionin e gjatë, 34 vite, nuk arrijmë të ndërtojmë shtet as në arsim, as në shëndetësi dhe kudo”, nënvizoi Karabina.