Ndrikulla e PD Jorida Tabaku shet te qeveria viktimat e mikrokredive, kush është familja demokrate që paguhet nga pushteti, vëllai drejtor i Rilindjes, burri pjesë e kartelit të kredive, kunati në MPJ, gruaja e kunatit në fondacionin e PS

Investigim

Publikuar: 19/01/2025

Ndrikulla e PD Jorida Tabaku shet te qeveria viktimat e mikrokredive, kush është familja demokrate që paguhet nga pushteti, vëllai drejtor i Rilindjes, burri pjesë e kartelit të kredive, kunati në MPJ, gruaja e kunatit në fondacionin e PS

Një nga ato dyfytyrësitë e zakonshme të politikës opozitare po shihet në fillimin e këtij viti. Ka disa ditë që PD me mediat e saj ka “zbuluar” masakrën që ka ndodhur në Shqipëri me mikrokredi. Si në një anekdotë të vjetër me një polic që qeshi shumë vonë pasi kuptoi humorin e një barsolete, e djathta zbuloi pas dy vjetësh që media buçet nga të gjitha anët se, në Shqipëri ka ndodhur hataja me mashtrimin mijëra shqiptarëve me “mikrokredi”.

Skema për të fituar votat e atyre që u abandonuan për dy vjet nga PD, vetëm dy muaj para zgjedhjeve është më e poshtër se vetë skema e mashtrimit me mikrokredi. Në krye të saj qëndron “ndrikulla” Jorida Tabaku, ortakja e qeverisë, shoqja e Eduart Shalsit të Komisionit të Ekonomisë, deputetja që ledhaton me pyetje të ëmbla Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.

Jorida Tabaku, për hatër të mijëra viktimave të mikrokredive, së fundi i ka dërguar një projektligj parlamentit socialist. Ligji titullohet “Për Marrëveshjet e Kredisë Konsumatore” dhe kërkon që të vendosen rregulla për të vobektët që do marrin kredi të vogla. Një kopje e shëmtuar e rregulloreve të Bankës së Shqipërisë, paraqitet si iniciativë e re nga ‘ndrikulla’ e vjetër e PD.

Në relacionin që Tabaku i drejton Spiropalit, ajo nuk përmend në asnjë germë viktimat e mikrokredive, as përgjegjësit e masakrës për të cilën është ndezur ditët e fundit partia e saj.

“Pavarësisht se kjo fazë është kryer dhe ka pasur një përqasje të konsiderueshme ndër vite, në këtë moment marr shkas nga ndodhitë e muajve të fundit, kërkohet përafrimi i legjislacionit në fushën e të drejtave të konsumatorëve me legjislacionin më të ri dhe bashkëkohor të BE-së.”

“Edhe pse kuadri ligjor dhe rregullator i lidhur me mbrojtjen konsumatore në sektorin financiar është plotësuar dhe përafruar në mënyrë konsistente në vitet e fundit, situata e para disa muajve në tregun financiar të mikrokredive bëri emergjente nevojën për të ndërhyrë në të, duke propozuar që një pjesë e rregullave të vendosura në aktet rregullatore të Bankës së Shqipërisë të rishikoheshin dhe ndryshoheshin me qëllim rregullimin e tyre me ligj.”

Me këtë projektligj, ndrikulla Tabaku kërkon të lajë duart si “Pons Pilati” nga ortakëria që ka pasur këto vite me qeverinë dhe me ata që bënë skemën e mashtrimit të mijëra shqiptarëve, demokratë dhe socialistë bashkë. Jorida Tabaku në komisionin “Shalsi” ku është anëtare, nuk e hapi kurrë gojën për mikrokreditë, kur aty u paraqit Guvernatori, apo kur u zhvillua debate parlamentar për fajtorët që shkaktuan ato.

Përse e kyçi gojën Jorida Tabaku?

Me një karrierë të pambuktë si politikane e së djathtës dhe ortake e së majtës, Jorida Tabaku është deputete e Parlamentit, kryetare e Komisionit të Integrimit, anëtare e Komisionit të Ekonomisë ku i bën fresk interesave të veta pa harruar ato të qeverisë. Në 2009 ka qenë Zëvendësministre e Integrimit. Në 2011-2013, Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës me Lulzim Bashën kryetar. Asnjëherë e anatemuar, gjithmonë larg telasheve, me pamjen korrekte “Urtë e butë e tigani plot.”

Bashkëjetuesi i saj, me të cilin ka tre fëmijë, quhet Saimir Sallaku. Profesor në Fakultetin e Ekonomisë, një personazh i lidhur kokë e këmbë në karrierën e tij me sistemin bankar. Anëtar bordi i një banke, specialist i institucioneve financiare jobankare, paguar nga to, Sallaku merr para pikërisht nga burime që Tabaku duhet t’i ‘luftojë’.

Dhurata Sallaku, kunata e deputetes, njihet si llogaritarja e aferës së “CEZ” në kohën e PD-së, ndërsa në erën socialiste ajo emërohet tek KESH, në një pozicion drejtues nga socialisti Benet Beci.

Fisnik Tabaku, vëllai i deputetes, emërohet nga Belinda Balluku, drejtor tek ALBCONTROL, vendstrehimi me rroga të majme i familjarëve të socialistëve dhe demokratëve që sillen “mirë.”

Kunati i deputetes, Enian Lamçe, dhe gruaja e tij, Eda Lamçe, janë sistemuar të jetojnë në SHBA gjatë pushtetit socialist. Enian Lamçe ka filluar karrierën si diplomat në 2015 duke u emëruar në Ministrinë e Jashtme, ndërsa në 2017 ai katapultohet në OKB. Bashkëshortja e tij, Eda Lamçe, e ndjek atë në SHBA duke ardhur nga një karrierë 2014-2017 si koordinatore e Fondacionit “Qemal Stafa” shtojcë e PS.

Tabaku dhe Sallaku, familje të mbushura me emërime dhe “rroga” socialiste, sot bëjnë opozitën që do rrëzojë Edi Ramën nga pushteti, duke pasur në ballë të luftës parlamentare, “ndrikullën” e integrimit dhe të mikrokredive, Jorida Tabaku.

Para dhjetë ditësh Jorida Tabaku denoncoi ashpër procedurat e Korporatës së Investimeve, duke i cilësuar ato si një nga mjetet më abuzive dhe korruptive të qeverisë Rama. Ajo paralajmëroi se kjo praktikë korruptive do ndalohet pas 11 majit kur Berisha të vijë në pushtet.