Drejtori i Burgjeve Klevis Qose vizitë zyrtare në SHBA: Takime me rëndësi për të ardhmen e sistemit të burgjeve në Shqipëri

Aktualitet

Publikuar: 14/01/2025

Drejtori i Burgjeve Klevis Qose vizitë zyrtare në SHBA: Takime me rëndësi për të ardhmen e sistemit të burgjeve në Shqipëri

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington D.C., ku u realizuan takime të rëndësishme për modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të burgjeve në Shqipëri. Një nga takimet kryesore ishte ai me Drejtorin e ICITAP-it, Gregory Ducot dhe ekspertin William Sage. Në fokus të diskutimeve ishin arritjet dhe sfidat e programit aktual që zbatohet në institucionet korrektuese shqiptare. Drejtori Qose theksoi rëndësinë e projekteve të reja që synojnë rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e programeve rehabilituese dhe të riintegrimit për të dënuarit.

Gjatë vizitës, drejtori Qose, i shoqëruar nga Drejtori i Inteligjencës Korrektuese në DPB, Edlir Ajazi, zhvilloi një takim të frytshëm me Errol Etting, Drejtor Ekzekutiv i Divizionit të Inteligjencës dhe Hetimeve në Departamentin e Sigurisë Publike dhe Shërbimeve Korrektuese të Maryland-it. Takimi u përqendrua në shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e qasjeve moderne në fushën e inteligjencës korrektuese.

Vizita ishte pjesë e një programi studimor të organizuar nga ICITAP, që përfshinte edhe pjesëmarrjen në Konferencën Dimërore të Shoqatës Korrektuese Amerikane në Orlando, Florida. Programi, i financuar nga ICITAP, përfaqëson një mbështetje të çmuar nga Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit të SHBA për përmirësimin e sistemit korrektues shqiptar.

Drejtori Qose deklaroi se temat e trajtuara, si siguria, teknologjia informative, programet rehabilituese dhe menaxhimi modern i burgjeve, janë thelbësore për të ndërtuar një sistem korrektues më efikas, të sigurt dhe human.

Kjo vizitë nënvizon angazhimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të përmirësuar standardet dhe për të siguruar një sistem korrektues që reflekton praktikat më të mira ndërkombëtare.