Televizioni i Familjes Berisha (me dosje për pastrim parash në Prokurorinë e Tiranës) dhe media të tjera satelite të dyshes anti-amerikane dhe anti-SPAK Berisha-Meta kanë nisur një sulm të kordinuar ndaj kreut të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, një nga njerëzit e drejtësisë që nuk është përkulur përballë dinozaurve të korrupsionit politik. Nuk është edhe aq sekret fakti që Arben Rakipi është një nga supertuesit dhe ‘mentorët’ e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, njeriu që po shemb perandorinë e korrupsionit elitar në Shqipëri.
Rakipi konsiderohet nip i Çetës së Dibrës me në krye Altin Dumanin, i shpallur nga Departamenti Amerikan i Shtetit kampion i antikorrupsionit për vitin 2024. Rakipi është nip te Familja Cami, në Viçisht, një fshat në komunën Gjoricë në rrethin e Bulqizës, Qarku Dibër. Gjyshi i tij, Ahmet Cami, dëshmor i atdheut, në kufijtë e Heroit të Popullit, pjesëmarrës me armë në dorë gjatë Luftës së Parë Botërore me çetat që udhëhoqën gjyshi i tij, Shaban Cami dhe kushëriri Dan Cami, pas vrasjes së babait të tij Fetah Cami. Që të gjithë u flijuan si dëshmorë të atdheut. Ahmet Cami, si komandant i çetës, organizoi punën për ndërmarrjen e kryerjen e aksioneve konkrete kundër pushtuesit fashist italian gjatë vitit 1941.
Ndërkaq, Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999. Në shkurt të vitit 2000, Arben Rakipi, asokohe kryeprokuror, e ka emëruar Altin Dumanin prokuror në Prokurorinë e Tropojës, duke u emëruar më pas kryeprokuror i Tropojës, një zonë e përfshirë në vëllavrasje nga dora e Sali Berishës.
Arben Rakipi është kryeprokurori i parë, i cili hetoi veprimtarinë e Sali Berishës dhe Ilir Metës, dy monumente të korrupsionit dhe krimit politik në Shqipëri, emblemë të pandëshkueshmërisë.
Rakipi nisi të hetonte rolin e Sali Berishës në sagën e krimeve në Tropojë, luftën civile të ’97, grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998, për kryengeitje të armatosur etj., ndërsa hapi disa dosje korrupsioni të Ilir Metës, kur ishte kryeministër në vitet 2000-2002, duke u fokusuar në sektorin e energjisë.
Përpjekjet e para për barazi para ligjit, llogaridhënie dhe ndëshkueshmëri u goditën në 18 mars të vitit 2002, pasi Ilir Meta dhe Sali Berisha bashkuan votat për për një hall të pëtbashkët, duke shkarkuar kryeprokurorin Arben Rakipi.
Referuar procesverbalit të të diskutimeve në seancën e 18 marsit 2002, Sali Berisha, përpos të tjerave deklaron se “… ne kërkojmë shkarkimin e Rakipit, sepse më 12 shtator të vitit 1998 Qeveria ekzekutoi para selisë së Partisë Demokratike, me një grup oficerësh, liderin e lëvizjes pluraliste shqiptare, deputetin Azem Hajdari…“. Në fakt, Berisha kishte hallin se Rakipi po hetonte me paanshmëri vrasjen e Azem Hajdatit, duke nxjerrë në pah rolin e errët të Berishës, i cili e thirri me urgjencë Azemin nga Fieri natën e vrasjes së tij nga Fatmir Haklaj.
Ndërsa Ilir Meta tha në atë seancë se “…fillimi i hetimeve në KESH nën dirigjimin politik të ndonjë drejtuesi të Partisë Socialiste e vuri Prokurorinë përpara detyrës jo për të zbuluar nëpërmjet fakteve fajtorin, por për të caktuar fajtorin që ishte shpallur. Dhe në të gjitha këto qëndrime nuk ka asgjë tjetër veçse një përpjekje për të bërë shantazh brenda Partisë Socialiste për qëllime politike. Këtu është kryetari i Shërbimit Informativ, zoti Klosi, të cilit së bashku me zotin Rakipi për dy vjet u kam kërkuar vazhdimisht në mënyrë insistuese të dhëna, informacione për korrupsionin, veçanërisht në KESH dhe veçanërisht në sektorin e tenderimeve dhe e gjithë historia e zhvillimeve të fundit nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për t’i thënë popullit shqiptar se ai nuk ka energji dhe nuk ka drita, për arsye se Dritan Prifti e disa të tjerë pas tij, madje edhe Ilir Meta, kanë bërë një korrupsion të hatashëm atje“.
Fatos Nano, përpos të tjerave tha se “…është më shumë se e pamoralshme që në kohën kur organi i akuzës kërkon të vendosë në peshoren e drejtësisë si asnjëherë më parë veprimet ose mosveprimet e përfaqësuesve të politikës në qeverisje, politikës së implikuar me krimin, të kërkohet nëpërmjet aleancash në emër të interesit e jo të parimeve kushtetuese bllokimi i realizimit të këtij detyrimi kushtetues e ligjor, duke ndërtuar mocione si ky i Berishës, të stisura mbi akuza e shpifje politike…”.
Pengimi i drejtësisë do të ishte një nga motivet e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non grata të Sali Berishës në 19 maj 2021. Më herët non grata u shpall Adriatik Llalla, një ushtar i bindur i Sali Berishës dhe Ilir Metës, me të cilin zëvëndësuan Ina Ramën.
Gjashtë vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, në 16 dhjetor 2022, me mbështetjen e faktorit amerikan, Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK, për një mision historik: Shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, 20 vjet pas shkarkimit të Arben Rakipit nga aleanca Meta-Berisha.
(Dumani është nga Zogjaj, një nga fshatrat e Grykës së Vogël, në perendim të Dibrës, aty ku në 2 qershor të vitit 1942 është krijuar edhe çeta e parë partizane. Kjo është edhe arsyeja se pse Sali Berisha e quan Dumanin ekstremist dhe të kuq. Zogjaj, i shtrirë në thellësi të maleve të Dibrës, ruan historinë e frymës pro perendimore dhe të shpirtit anti osman, anti serb dhe anti fashist të burrave të kësaj zone. Kjo frymë, linjë dhe rrjedhë historike po respektohet nga Altin Dumani, duke u dhënë një goditje përfundimtare kokave korrupsionit dhe krimit në Shqipëri, bazuar në prova, fakte dhe në një proces të drejtë penal si dhe duke mos u përulur para presioneve dhe shantazheve të personave nën hetim, që simbolizojnë kulturën e mosndëshkimit dhe korrupsionit me kollare në Shqipëri).
Në harkun kohor të dy viteve, Altin Dumani mbushi burgjet me drejtorë, kryebashkiakë, ish ministra dhe deputetë të Partisë Socialiste. Ilir Meta ka përfunduar prapa hekurave për korrupsion dhe pastrim parash. Sali Berisha është marrë i pandehur për korrupsion, ndërsa po hetohet si i dyshuar për vrasje në rrethana cilësuese në Gërdec dhe 21 Janar.