Deputeti socialist, Pandeli Majko ka dërguar një shkresë në Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), në lidhje me akuzat që janë bërë nga Sali Berisha.
Majko kërkon informacion nga SHISH për pretendimet e Berishës, i cili ka deklaruar se deputeti socialist është përgjuar në kuadër të pazareve elektorale.
Letra e Majkos është dërguar zyrtarisht nga Kuvendi dhe është përcjellë me shkresë përcjellëse për në SHISH. Ndërkohë që bashkangjitur i ka dorëzuar SHISH edhe deklaratën e 6 janarit të Berishës.
Në konferencën për shtyp më datë 6 janar, Berisha akuzoi deputetin socialiste Pandeli Majko si kriminel elektoral. Ai aludoi edhe për një përgjim të SHISH ndaj Majkos në Kukës ku flitej për pazare elektorale. Këto deklarata erdhën pasi Majko kaloi nga drejtues politik qarku i PS-së në Kukës, në një nga zonat e Tiranës.
Majko reagoi pas akuzave duke thënë se Berisha servir vetëm gënjeshtra nga publikut, ndërsa një ditë më pas u takua me kryeparlamentaren Spiropali, teksa i kërkoi Kuvendit të sqarojë pretendimet e Berishës si i përgjuar nga SHISH.
