Personi në foto, me dy gishta përkrah Sali Berishës quhet Besnik Bami. Është një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend.
Kompania e tij, “Bami Holding”, ish “Bami” është një nga kontraktorët më përfitues të punëve publike që ka akorduar qeveria. Nga rrugë, në ujësjellës, ndërtesa publike, e para një viti ai mori lejën për ndërtimin e kullës “Barcelona Tower” në rrugën Ibrahim Rugova.
Me fjalë të tjera, është një nga partnerët më të afërt të Bablokut për të kryer punët publike me paratë e buxhetit të shtetit.
Por si shumica e oligarkëve shqiptarë, edhe Besnik Bami, nuk i ndahet idesë fikse se për të pasur sukses në biznes, duhet t’i ketë duart e zëna: njëra dorë në baklava e tjetra në revani.
Për të marrë sa më shumë, apo siç e thotë Edi Rama në mënyrë proverbiale “Kap çfarë të kapësh-akronimi: KÇK”.
Afërsia e Bamit me doktor Berishën, tregon qartë lidhjen transversale të tij me politikën, që e ka në mënyrë të pazgjidhshme. Ngaqë politika i ka dhënë ushqim punëve të tij, jo nga standardi e performanca e kantiereve dhe ekipeve të tij inxhinierike, punonjëse, apo edhe logjistike.
Lidhja e biznesmenëve me politikën në Shqipëri, konsiderohet një nga problemet më të mëdha të problemeve që ka sjellë tranzicioni.
Një brand industrial, nëse është i aftë për t’i çuar punët përpara, nuk ka nevojë për politikën, pasi janë aftësitë ata që i japin të drejtën për të marrë punët që i bën më mirë.
Por si gjithmonë dardhat fshihen pas krahëve. Lidhja me politikën ndodh sepse, oligarkët, duan që ndërmjet kontratave publike të fitojnë shumë, por nga ana tjetër, pjesë e këtij fitimi nuk janë asnjëherë personeli, punonjësit, administrata apo inxhinierët e intelektualët.
Të cilët punonjë në një masë të madhe të pasiguruar dhe me një pagesë të ndarë në dysh. Këto kompani që marrin kontrata publike të majme, janë edhe evazorët më të mëdhenj, siç i nxjerrin çdo vit statistikat e dala nga institucionet tatimore.
Pikërisht për të mbajtur këtë status, ata mbajnë lidhje me politikën, duke i financuar politikanët e zyrtarët e lartë, pikërisht me kuotën që duhet t’i paguajnë shtetit.
E kështu për të evituar problemet, në çdo fushatë elektorale shohim që thuajse të gjithë oligarkët financojnë fushatat e partive të mëdha: PD-së dhe PS-së.
Sali Berisha, siç e treguan edhe ngjarjet pas vitit 2021, arriti të marrë PD-në pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe pas përjashtimit nga Lulzim Bashës, falë donacioneve të mëdha të oligarkëve.
Të cilët prej kohësh janë vënë nën shënjestër të SHBA. Qeveria amerikane mëse njëherë ka bërë të ditur se kush mbështet Non -Gratat do të ketë të njëjtin trajtim si personazhet e sanksionuar. E pikërisht për këtë, dy oligarkë të mëdhenj shqiptarë nuk kanë vizë për në SHBA dhe anë afër vulosjes së sanksionimit të madh.
Por këtë lajm shumica e medias nuk e publikon, pasi është e lidhur me rrethin vicioz të këtij grupi binzesesh, që në realitet nuk janë të tillë. Janë thjeshtë kontraktorë të Edi Ramës dhe Sali Berishës, për të qarkulluar paratë e tyre. Se i fusin në xhep, se i përdorin për fushatë është e njëjta gjë, pasi këto para që u përkasin qytetarëve qarkullojnë në rrethin e tyre. Ndaj edhe Bami, ditën është me Edi Ramën e natën me Sali Berishën, si në këtë foto./Pamfleti