Në orët e para të mëngjesit të 1 janarit 2025, në një ambient festiv, u raportua për të shtëna me armë zjarri në ajër.
Policia e Tiranës njofton se përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë kanë arritur të identifikojnë autorin, i cili është shpallur në kërkim.
Ngjarja ka ndodhur në një ambient festiv në rrugën ‘Liman Kaba’ në Tiranë. Autori ka qëlluar në ajër, ndërsa ambienti ka qenë i mbushur plot me të rinj e persona të tjerë që kanë qenë duke festuar Vitin e Ri.
Në momentin e të shtënave në ajër, në skenë ka qenë duke performuar reperi Stresi, i cili është larguar.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamerave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorit të dyshuar”,njofton policia.