Kandidati i dyshes Berisha-Meta për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, i cili humbi me 60 mijë vota diferencë, dha llogari dje për dy orë në SPAK për falsifikimin e dyshuar të diplomës së gjimnazit, për burimin e shpenzimeve në fushatë dhe për mosdeklarimin e pasurisë së parteneres së tij, Anna Shkreli. Ashtu si Meta akuzoi Monika Kryemadhin kur nisën hetimet, edhe Belo Ezmeri u distancuar dje para derës së SPAK nga bashkëjetuesja e tij, Anna Shkreli, për të justifikuar mosdeklarimin e pasurisë së saj, duke deklaruar se nuk bashkëjetonte me të.
“Jam pyetur për çdo gjë, për partneren time që unë dal në media publikisht dhe them që nuk bashkëjetoj me të dhe nuk jemi bashkë dhe ajo po kujdeset për familjen e saj, për vëllanë e saj. Pyetem sikur kam deklaruar që them se bashkëjetoj me të”, tha Belind Këlliçi.

Belind Këlliçi u shfaq në studio televizive me partneren e tij Anna Shkreli gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës, teksa rrëfyen sakrificat për dashurinë.
“Historia ime me Belindin është një histori interesante sepse për mua është një histori që dëshmon faktin se sa e rëndësishme është që dikë edhe të dish ta presësh në njëfarë mënyre sepse unë kam qenë në Itali, pastaj jam kthyer shumë shkurt në Shqipëri, pastaj kam ikur prapë në Angli ku edhe siç e rrëfente edhe inserti, pastaj kam kryer eksperiencat e mia master dhe eksperiencat e mia me radhë. Në njëfarë mënyre, kjo është një marrëdhënie njerëzore e cila nuk ka ecur përpara duke u nxituar për të arritur diku, kjo është shumë e rëndësishme, më kupton. Është një marrëdhënie që ka ditur të presë dhe ka ditur t’i përballojë edhe ditët e mira, edhe ditët e këqija”, u shprehej Anna.
Ndêrsa Belo theksonte; “Edhe unë kam ditur të pres, me thënë të drejtën. Prita Annën që të diplomohej në Itali dhe të mbaronte studimet e veta në Itali. Ka qeenë një moment i vështirë kur Anna më komunikoi më pas që donte, e kishte marrë vendimin që të shkonte në Angli për të bërë masterin. Sigurisht nuk është se e prita shumë, shumë mirë në aspektin tim personal por ishte diçka, një eksperiencë që Annës i duhej patjetër dhe ishte ëndrra e saj që të ikte për master në Angli“.
Megjithatë, Anna Shkreli nuk figuron në deklaratën e pasurisë së Belind Këlliçit.

Belind Këlliçi, duket se ka arsye të sikletshme se pse nuk ka deklaruar në ILDKPKI pasurinë e bashkëjetueses së tij, Anna Shkreli, duke thyer detyrimin ligjor, sfiduar ILDKPKI dhe SPAK-un.
Së pari, dhëndri i socialistëve Belind Këlliçi, i njohur edhe si Belo Ezmeri, nofkë që ia ka vendosur Sali Berisha, duhet të deklaronte se partnerja e tij Anna Shkreli ka përfituar para publike nga disa ente shtetërore, si person fizik me nipt M01804027N.


Dy pagesa nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor i ka përfituar gjatë kohës kur partneri i saj Belind Këlliçi ishte deputet i Partisë Demokratike.
Së dyti (dhe ky duket se është edhe sikleti më i madh) partnerja e Belind Këlliçit, Anna Shkreli është paguar, pra ka marrë rrogë nga Bashkia e Tiranës, para të cilës proteston Belo Ezmeri. Konkretisht Anna Shkreli rezulton e punësuar pranë Muzeut të Bashkisë Tiranë “Shtëpia Studio Kadare”.

Anna Shkreli rezulton se është bashkëpronare e disa pasurive të paluajtshme me vlerë qindra mijëra euro.
Ndërkaq, Belind Këlliçi ka deklaruar vetëm një pasuri të paluajtshme një tokë pemëtore 1 mijë m2 në Ibë. Sipas dy deklaratave të pasurisë 2021-2022, Belo Ezmeri fle nën hijen e pemëve në Ibë.
Belind Këlliçi ka deklaruar edhe një makinë në vlerë më të ulët se sa e ka blerë në Gjermani, element që duhet tëy hetohet nga SPAK bashkë me shpenzimet qindra mijëra euro në fushatën për Bashkinë e Tiranës, me burim të dyshimtë.
Vëllai i Belos aktivitet të dyshimtë
Kur Belindi bënte opozitarin kundër qeverisë dhe Bashkisë Tiranë, vëllai i tij ku Reshard Këlliçi rezultonte i punësuar si këshilltar ligjor pranë shoqërisë AlbGaz me pagë 2 mijë euro në muajt.
Shoqëria AlbGaz është themeluar në janar të 2017-s për të ushtruar aktivitetin si Operator i Sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes të gazit natyror dhe ajo është në pronësi 100 për qind të shtetit shqiptar me aksionet që zotërohen nga Ministria e Infrastrukturës, dega kryesore e qeverisë.
Kur kjo lidhje u ekspozua në media, vëllai i Belind Këlliçit dha dorëheqjen.

Ndërkaq, Reshard Këlliçi kryen faturime si person fizik, me nipt L72321031E. Bëhet fjalë për një biznes të themeluar në 2017 për ofrimin e sherbimeve të konsulences në fushat ligjore, ekonomike, të administrimit të biznesit etj.

Kompanitë e konsulencën janë formë masive e përdorur për pagesa fiktive dhe qarkullimi parash.
A ka përfituar para Reshard Këlliçi si person fizik në konflikt interesi?
A ka marrë para Reshard Këlliçi nga të ashtuquajtur oligarkë, të cilët kanë marrë nga qeveria para dhe prona publike?