Belind Këlliçi, i njohur si Belo Ezmeri, ka gëzuar demokratët në prag të festave të fundvitit. Në cilësinë e politikanit që ka bërë foto me Trump në një korridor, Belo tha se Berishës një ditë do t’i hiqet nongrata, por se kur do t’i hiqej kjo damkë e zezë nuk e dinte.
“Nuk e di nëse do të hiqet në shkurt, mars, prill apo maj, por do të hiqet“, tha Belo, i cili nga ana e tij mban damkën e disfatës më të thellë të PD në Tiranë, me 60 mijë vota.
Belo Ezmeri theksoi se non grata politike mund të hiqet, ndërsa ajo e “Thesarit” është një procedurë komplekse.
“Z. Berisha nuk u sanksionua nga Departamenti i Thesarit edhe pse u kërcënua”, tha Këlliçi, duke nënkuptuar se nongrata e Berishës nuk është e një shkalle të lehtë!
Që kur bëri foto me Trump kundrejt pagesës 25 mijë USD, Belo flet në oborrin e SHQUP si njeriu që i di punët e Amerikës. Madje ka nisur të përhapë fjalë se ka biseduar me Trump për çështjen e nongratës së Berishës. Një ditë, Belo është dëgjuar duke u thënë disa demokratëve pranë SHQUP-it se atij i ka thënë Trumpi se do t’i heqë nongratën Berishës sapo të futet në Shtëpinë e Bardhë.
Belo ka nxjerrë jashtë loje edhe Alfred Lelën, i cili rrihte gjoksin si njeriu i amerikanëve, meqenëse ka punuar si banakier në SHBA.