Më datë 14 korrik të 2008, Shkëlzen Berisha dhe biznesmeni pranë PD-së Ismail Mulleti lidhin një kontratë. Sipas kësaj kontrate, detyra e Shkëlzenit ishte ndërmjetësimi për blerjen e pronave në fshatin Rinia në Durrës, në zonën kadastrale 31 84, me numër pasurie 60/2, 60/3, 60/4, 60/5, 60/6, 60/7, 60/8, me sipërfaqe 57 494 m2. Shkëlzeni duhet të identifikonte shitësit potencial të tokës, identifikimin e pronave, të dhëna për shitësit etj.
Për këtë shërbim, i cili mund të kryhej në vetëm në pak minuta, me anë të një verifikimi nga institucionet shtetërore, Shkëlzen Berisha ka marrë 200 mijë euro nga Ismail Mulleti.

Fiktiviteti i shërbimit, me anë të cilit djali ish-kryeministrit ka marrë paratë, është vetëm njëra anë e medaljes, pasi ka dyshime të forta se shuma prej 200 mijë eurosh të mos jetë vlera e vërtetë. Po ashtu, zona kadastrale është e njëjtë me zonën ku ka blerë tokë Damir Fazlliç nga Argita dhe Jamarbër Malltezi, tokë që e kishin blerë me lirë. Argita blinte tokë me 10 euro m2 dhe ia shiste Fazlliçit me 18 euro m2.
Më pas në lojë hyn Berisha, i cili me vendim qeverie zgjeroi zonën e parkut energjitik në Porto Romano, duke përfshirë në të dhe tokën e Fazlliçit, klientit të të bijës.
Në datën 11 dhjetor të 2009, po në Fshatin Rinia në Durrës, në zonën e Porto Romanos, Shkëlzen Berisha, ka lidhur një kontratë tjetër me Stellar Real Estate Investmens Albania sh.p.k, për t’i gjetur blerës për blerjen e rreth 50 mijë m2 tokë që kanë në pronësi, duke marre si shpërblim 3 euro për çdo metër katrorë.
Në rastin konkret për shërbimi i tij Shkëlzen Berishës fiton 150 mijë euro të tjera.

Shoqëria që shet 50 mijë metra katrorë tokë në fshatin Rinia ka si administratore Entela Shehajn, pra të njëjtin person që është ortake e Ismail Mulleti, që paguan Shkëlzen Berishën për të gjetur tokën për blerje në fshatin Rinia.


Po nëse blerësi dhe shitësi janë ortakë mes tyre, përse kanë nevojë të paguajnë Shkëlzen Berishën 350.000 euro për një ndërmjetësim të panevojshëm mes tyre? Sepse biznesmemët, për të marrë një koncension, leje, tender apo favor nga qeveria Berisha, duhet të sajonin pagesa të majme tek Shkëlzeni ose Argita.
Në 27 shkurt 2013, Ministria e Financave me në krye Ridvan Boden lidh kontratën koncensionare me kompaninë GFI Albania (që nuk ekzistonte në letra) për markimi dhe monitorimin e karburanteve. Bëhet fjalë për kompaninë pjesë të skandalit Panama Papers.

Kompania GFI Albania, themeluar 1 muaj pasi ishte lidhur kontrata, zotërohej në 99.3 për qind të aksioneve nga kompania Petroleum Consultin Partners LLC dhe nga Global Fluids International me 0.7 për qind të aksioneve.
Nga të dhënat e dorëzuara në regjistrin e përfituesve fundorë, rezulton se pronarë përfitues të GFI Albania, rrjedhimisht të koncensionit, deri në shkurt 2023 ishin Ismail Mulleti dhe Assaf Halkin.

Në 16 shkurt 2023, Mulleti dhe Helkin ia shesin kompaninë Petroleum Consultin Partners LLC, rrjedhimish edhe GFI Albania dhe koncensionit shtetases turke Nerve Korkmaz.
Pra, Ismail Mulleti i dha Shkëlzenit të paktën 350 mijë euro në vitet 2008-2009, ndërsa Berisha i dha më pas Mulletit një koncension nga i cili fitoi mbi 1 milionë euro në vit.
Skandali Panama Papers
Në vitin 2016, Ismail Mulleti rezultoi i përfshirë në dosjet voluminoze të skandalit financiar “Panama Papers”. Ai është bashkëpronar në “GFI Techonologies” me izraelitin Assaf Halkin.
Kjo kompani, që Berisha i kishte dhënë koncesionin e markimit të karburanteve, është një prej atyre që është krijuar në parajsën fiskale të studios ligjore “Mossac Fonseca” në Panama. Dy ortakët e kanë regjistruar kompaninë në maj të vitit 2013 në ishullin Anguilla në Amerikën Qëndrore. Mulleti dhe Halkin kanë edhe një kompani tjetër të regjistruar në Shqipëri. Dokumentat e QKR tregojnë se ata janë ortakë me nga 45 % në kompaninë “IMAH”, me adresë në qendrën e biznesit në rrugën “Murat Toptani”.
Mulleti është një emër me një histori të gjatë në Shqipëri. Ai njihet si i përfolur për lidhje me kompaninë “Shqiponja” shumë afër PD, gjatë viteve 1992-1996, dhe bizneseve të tjera të afërta me PD-në.