Gjykata e Tiranës caktoi sot masën e sigurisë “arrest në burg” për 5 personat e arrestuar për trafik armësh Kosovë-Shqipëri.
Të arrestuarit: Endri Papa, Aurel Manreka, Gersi Llozha, Kleo Muçalliu dhe Tonin Shkabmi, gjatë seancës kanë pretenduar që nuk janë përfshirë në trafikun e armëve, pasi sipas tyre nuk kanë pasur dijeni për aktivitetin e Valter Osmanit, të dyshuar si kreun e grupit të arrestuar në Kosovë.
Nëpërmjet avokatëve pretenduan se e vetmja akuzë që mund të qëndroj në këtë rast për ta është ajo e prodhimit dhe shitjes së armëve.
Për Euxhenio Manushin (muzikantin) që mbahet i arrestuar për trafik kokaine, seanca pritet të mbahet të dielën (15 dhjetor 2024).
Grupi kriminal i trafikut të armëve u shkatërrua në kuadër të një operacioni të përbashkët me kontrolle në Tiranë, Prishtinë e Ferizaj dhe deri më tani 24 persona janë ndaluar në total, në territoret e dy shteteve shqiptare. Nga policia e Tiranës janë 10, prej të cilëve 4 më herët, ndërsa nga Policia e Kosovës, 14.