Një video e transmetuar nga televizioni amerikan ABC7 ka trazuar ndjenjat e shumë shqiptarëve dhe ka rikthyer në vëmendje një emër që dikur mbushi skenat me zërin e saj të jashtëzakonshëm, Parashqevi Simakun. Në këtë video, një grua që identifikohet si “Simaku Nolfe” shfaqet duke marrë ndihma nga një grup fëmijësh, një video që ka ngjallur debat të madh në rrjetet sociale.
Shumë ndjekës po ngrenë pikëpyetjen nëse gruaja që shfaqet në video është këngëtarja e njohur shqiptare Parashqevi Simaku, ndërsa vetë familjarët e këngëtares ekskluzivisht për Report Tv thonë se gruaja në video është këngëtarja Simaku.
Prej gati një dekade, familjarët nuk kanë asnjë kontakt me këngëtaren Simaku dhe e konsiderojnë atë të humbur. Të afërmit thonë se Parashqevia mund të ketë edhe probleme psikologjike.
Parashqevia, dikur krenaria e muzikës shqiptare, ka qëndruar larg syrit të publikut prej dekadash. Pas një emigrimi të vështirë në SHBA, fillimisht në Nju Xhersi dhe më pas në Kaliforni, ajo njohu bashkëshortin Robert Nolfe, me të cilin ka një djalë.
Por ndarja nga ai rreth viteve 2006 dhe humbja e kujdestarisë së djalit shënuan një periudhë të vështirë për të. Pas ndarjes, Parashqevia ndenji në Amerikë, për hir të djalit, dhe për vite me radhë priti me shpresën se ky i fundit pasi të mbushte 18 vjeç do të vendoste të jetonte me të ëmën.
Divorcin me ish-bashkëshortin la tek ajo pasoja të rënda dhe burime bëjnë me dije se ka pësuar edhe paralizë cerebrale. Kur është ndarë me bashkëshortin, ky i fundit ka njoftuar familjarët për gjendjen e vështirë të Parashqevisë.
“Hajdeni merreni sepse nuk është mirë”, mësohet të ketë thënë në telefonatë, nga burime të afërta pranë familjes. Ndërkohë, familjarët thonë se sa herë e kanë kontaktuar ish-bashkëshortin e saj për të mësuar mbi vendndodhjen e këngëtares, ai nuk u ka dhënë detaje ndërsa kishte nisur bashkëjetesën me një tjetër partnere.
Përpjekjet për ta gjetur Parashqevinë për vite me radhë nga familjarët nuk kanë qenë të frytshme, megjithëse shumë shqiptarë në SHBA, veçanërisht në Nju Jork, kanë tentuar ta ndihmojnë kur janë përballur me të në rrugë. Ajo refuzonte ndihmën dhe shpesh shfaqte probleme të rënda të shëndetit mendor.
Burimet pranë familjarëve të saj bëjnë me dije se këngëtarja ka qenë për herë të fundit në Shqipëri, rreth 18 vite më parë kur i ka ndërruar jetë i ati.
Nëna e saj ndërroi jetë një vit më parë, e pikëlluar dhe me shpresën e fundit se do të ritakonte të bijën. “Mamaja vdiq duke parë foton e saj”, është detaji i dhimbshëm që mësojmë nga të afërm të Parashqevi Simakut të cilët prej më shumë se 1 dekade kërkojnë të lidhin kontakt me të.
Parashqevi Simaku, këngëtarja e famshme nga Kavaja që elektrizoi Shqipërinë gjatë viteve ’80, është një emër që mbetet i paharruar për artdashësit. Megjithatë, ajo emigroi jashtë vendit dhe jetoi larg syrit të publikut. Videoja, ende e paqartë për kohën kur është realizuar, ka rikthyer shpresën për familjarët që të mund të rilidhin kontaktet me të. /Report Tv