PD tha se Rexhë Byberi theu “arrestin shtëpiak” dhe shkoi në bashki, avokati i kryebashkiakut: Mori leje

Politikë

Publikuar: 11/12/2024

PD tha se Rexhë Byberi theu “arrestin shtëpiak” dhe shkoi në bashki, avokati i kryebashkiakut: Mori leje

Avokati i kryebashkiakut të Tropojës, Artan Laze ka folur pas denoncimit që bëri dje PD duke thënë se Rexhë Byberi kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të shkuar në bashki.

Laze tha për “Report Tv” se kryebashkiaku i Tropojës ka qenë i detyruar të paraqitet për të përmbushur detyrimin ligjor.

Sipas avokatit Laze nuk ka thyerje mase për Rexhë Byberin pasi duke qenë se vazhdon detyrën, dhe nuk është pezulluar nga ushtrimi i saj, në funksion të zbatimit të detyrës  ka qenë i detyruar të paraqitet në zyrë për të përmbushur detyrimin e tij ligjor për kalimin e buxhetit të Bashkisë Tropojë.

Për këtë arsye Bashkia e Tropojës ka kërkuar leje në organin procedues që të lejohet  kryetari i bashkisë të kryej procedurat në 6 dhjetor për kalimin e projektbuxhetit.

Kjo leje është miratuar nga organi procedues dhe Byberi është paraqitur, pasi mosparaqitja e tij do të sillte pasojë bllokimin e fondeve dhe pagave për muajin dhjetor 2024 dhe buxhetin 2025.

Sot ka qene një seancë për marrjen e informacioneve 2 mujore por u shty për një date tjetër me qëllim njohjen e palëve me veprimet e prokurorisë për këtë periudhë.