Prapaskena

Krim & Korrupsion

Dosja / Familja Berisha biznes me dhëndrin e djalit të Enver Hoxhës dhe vëllain e Sokol Çomos së KPA, në skenë edhe Flutura Kola e Fazlliçit

Publikuar: 09/12/2024

Në dosjen e SPAK për korrupsionin e Familjes Berisha dalin në pah lidhje të tjera të Familjes me fije të kupolës së sistemit të drejtësisë, familjen e Enver Hoxhës dhe figura të korrupsionit të pandëshkuar.

Sipas dosjes së SPAK, çifti Jamarbër Malltezi dhe Argita Berisha kanë financuar me para korrupsioni fondacionin e Liri Berishës ‘Fëmijët Shqiptarë’.

Pra, një pjesë e parave të korrupsionit të Familjes Berisha me pasuritë publike, në rastin konkret me tjetërsimin e pronës publike ish Klubi Partizani, janë qarkulluar dhe ‘shpëlarë’ nga fondacioni i Liri Berishës, përmes Bordit.

Është bordi organi që ka tagrin për menaxhimin e donacioneve.

Pjesë e bordit të fondacionit të Liri Berishës ‘Fëmijët Shqiptarë’ është edhe Ariel Çomo, vëllai i kryetarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Sokol Çomo (shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut).

Edhe pse pa të drejtë vote, Ariel Çomo është pjesë e bordit të fondacionit dhe kjo mund të jetë arsye se pse Sali Berisha nuk e përmend kurrë emrin e Sokol Çomos në ballkonin që nuk lë njeri pa baltos dhe përgojuar.

Anëtar bordi është edhe Genc Boga, burri i mbesës së Enver Hoxhës, por ky fakt duket i natyrshëm pasi Sali Berisha ka qenë i besuar i familjes së diktatorit, duke i ngarkuar punë deri te shkundja e tapetave.

Pjesë e bordit të fondacionit të Liri Berishës ‘Fëmijët Shqiptarë’ është edhe Flutura Kola, gjithashtu pjesë e dosjes së SPAK si e besuar dhe bashkëpuntore e Argita Berishës në raportin e saj korruptiv me Damir Fazlliç.

Nga përbërja e bordit duket qartë se kemi të bëjmë me një rreth të mbyllur dhe një instrument me natyrë mafioze në duart e Familjes Berisha, non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe si e korruptuar, si dhe nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.

Vilë në Farkë

SPAK po heton fondet dhe pasuritë e paluajtshme të Fondacionit për Fëmijët Shqiptarë, organizatës joqeveritare të themeluar nga Liri Berisha.

Hetimi po prek edhe fondet e investuara për blerjen e një vile të Fondacionit në zonën e ish-liqenit të Farkës e cila përdoret si seli e biznesit.

Po me çfarë parash e ka blerë Liri Berisha vilën në Farkë?

Nëse Argita kishte vedosur traun për çdo biznesmen që kërkonte të zgjidhte ndonjë hall në qeveri, duke i marrë 3 %, nëse Shkëlzeni kishte legalizuar punën e sekserit duke deklaruar qindra mijëra euro që u merrte biznesmenëve për t’u mbaruar punë te babai kryeministër dhe nëse dhëndri Jamarbër Malltezi u vinte syrin tokave në Tiranë dhe i kthente në sheshe ndërtimi me firmën e vjehrrit kryeministër, Liri Berisha përdori fondacionin e saj dhe emrin e madh Nënë Tereze për t’u marrë haraç biznesmenëve për firmën e burrit të saj kryeministër, i cili u kishte kaluar para dhe pasuri publike në vlerë qindra milionë euro.

Vetëm gjatë mbrëmjes së 13 tetorit 2012, një rreth biznesmenësh, të cilët favorizoheshin nga qeveria Berisha, i paguan Liri Berishës mbi gjysmë milioni euro. Paratë kalonin përmes bankës së Familjes, Intesa San Paolo Bank, e cila i dha Shkëlzenit 1.8 milionë euro kredi me kolateral fiktiv për të ngritur fabrikën e boronicave në Gërdec.

Biznesmenët hynë në garë duke blerë gjoja në ankand piktura modeste dhe mediokre, me vlera të mëdha, si kontribute për fondacionin e zonjës Liri Berisha për fëmijët autikë, por paratë, pasi kalonin në një mekanizëm jo transparent, dyshohet se përfundonin në xhepat e Argitës dhe Shëlzenit, duke i investuar në pasuri të paluajtshme.



Më të lexuarat