Mbrëmë, në emisionin Open në prime time, 40-vjeçarja Brisejda Shehaj e pagëzuar nga media si Brisi Tatimeve, goditi rëndë qeverinë, SPAK-un, buxhetin 2025, vjedhjet, grabitjet, koncesionet, të gjitha mënzyrat që ndodhin në Shqipëri, me një pathos dhe gjeste si ato të Duçe-s, kur donte të ekzaltonte turmat.
Ish-koordinatoren e LSI-së në një moment u duk se e lëshuan ‘pëllumbeshat’, por e mori veten shpejt, pasi pa celularin dhe lexoi: “Je mirë fare, jepi”. Me një miksim të vulgaritetit të Monës, gafurrjes së Metës dhe argumentimeve açik të vjedhura nga leksionet e profesorit kontravers Rezart Prifti, Sejda e Tatimeve skanoi qeveri, bashki, mjekësi bashkë me SPAK dhe në fund tha: “Po vdesim, jalla të kapim 45 vjeç se s’kemi ilaçe.”
Në një çast vlimi të konvulsionit të saj televiziv, nxorri edhe një sekret hetimor nga Sky-Enchro i SPAK: “Kanë dalë përgjime që prokurori i thotë prokurorit – Bundër.”
Meqenëse as fjalori dhe as zhargoni i përgjithshëm i shqipes nuk e ka shumë të njohur “bundrën” si fjalë përveç një kategorie shumë ekstreme dhe vulgare të shoqërisë, duhet shpjeguar fjala që gjeti Sejda në Enchro. “Bundra” është si “baxhella”, “kurva”, “lavirja” që përdoret për një femër në konotacion përbuzës, apo për një grua ose vajzë të përdalë, pa moral. Bundra është zhargoni më i ulët që përdoret nga pak njerëz, sidomos nga ata që thirren “të fortët”, që etiketojnë me këtë ngjyrim moral jo vetëm femrat, por dhe kundërshtarët e tyre meshkuj. Pra, prokurorët kanë dalë në përgjim duke i thënë njëri-tjetrit “Bundër”. Kjo është ajo që deklaroi ish-drejtoresha e Tatimeve 2013-2016, Briseida Shehaj.
Po të kthehemi dhjetë vjet para në kohë, ishte vetë Brisi Tatimeve që biznesmenët e përçmonin për bëmat dhe vulgaritetin me të cilën përcillte aksionet e saj. Bashkë me Saje Qorrin, që i dha suport në çdo dimension, Sejda e Tatimeve kishte kartabiankë të godiste këdo biznesmen sado i fuqishëm dhe t’i thoshte: “T’më rruash trapin.” Sejda mund të fshihej pas shpatës së qeverisë dhe atij që e emëroi, e që është i njëjti person, si atëherë si sot.
Sejda nuk foli kurrë për kanabizimin e Shqipërisë, as atëherë kur shëtiste me Sajen, as më pas kur “bundrat” prokurorë nuk hetuan për këtë masakër që shkatërroi biznesin, shëndetin dhe shtetin e të gjithëve.
Brisi i Tatimeve, më pas e LSI-së, sot e pavarur nga Mona, Likja dhe Belo Ezmeri, ka të drejtë në çdo gjë që thotë, ashtu si Sali Berisha që ka të drejtë kur demaskon aferat qeverisë, ashtu si Iliri që kishte të drejtë kur mbronte Kushtetutën, ashtu si Muli i Entit të Banesave ka shumë të drejtë kur “pështyn” SPAK-un dhe Dumanin për hetime me dy standarde.
Sejda e Tatimeve, pas dhjetë vjetësh parashkrim, ka të drejtë të bërtasë: “Jam e pakorruptuar.” Në këtë vend kanë ndodhur aq shumë ngjarje në dhjetë vjet, sa bundrat origjinale janë zëvendësuar me bundrat artificiale. Shumë bundra janë kthyer në meshkuj, ndërsa këta të fundit kanë filluar të shndërrohen në bundra.
Të gjithë kanë të drejtë të thonë e të bëjnë ç’të duan në Shqipëri, në demokraci, si prokurorët që po hetohen nga SPAK, sikurse dhe ndrikullat që dalin mbrëmjeve televizive.