Dosja e SPAK për grupin krimianal me në krye Suel Çelën tregon se ish gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetah ishte nën kontrollin dhe komandën e plotë të organizatës kriminale, punonte dhe paguhej nga kjo organizatë. Nga viti 2003 deri në vitin 2020, Pajtime Fetah rezulaton se ka pesëfishuar pasurinë e deklaruar në ILDKPKI, ndërsa pasuria e fshehur dyshohet se ka një vlerë qindra mijëra euro.

Në vitin 2020, gjyqtarja Pajtime Fetah ka deklaruar se ka edhe rreth 56 mijë euro cash në banesë. Sipas nenit 4/1 të ligjit Nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” i ndryshuar, kufiri i lejuar për t’u mbajtur cash është 1,500,000 lekë.
Ndërkaq, e bija e gjyqtares Pajtime Fetah, Megi Fetah, sipas dosjes së SPAK, shërbente si urë komunikimi mes gjyqtares dhe kreut të grupit kriminal, Suel Çela allias Marjus Lulaj. Megi Fetah rezulton se është pedagoge pranë Universitetit të Elbasanit, Fakulteti Ekonomik. Në website-n e universitetit thuhet se ajo jep mësim në Fakultetin e Biznesit dhe i Drejtësisë.

Megi Fetah ka komunikime të vazhdueshme me shtetasin Klaus Matishi alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja, i përfshirë në shumë ngjarje kriminale, madje në shumicën e rasteve i drejtohet me fjalën “zemër”.
Nga komunikimet kuptohet se pedagogia 33-vjeçare Megi Fetah bën ndërmjetësen mes bandës së Suel Çelës dhe mamasë së saj, gjyqtares Pajtime Fetah, për të marrë vendime gjyqësore në favor të grupit kriminal.
Nga biseda mes tyre kuptohet se ka qenë Megi, ajo e cila i ka dhënë telefonin me aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” mamasë së saj, Pajtime Fetah, që më pas kjo e fundit komunikon me “kokën” e grupit kriminal Suel Çelën.
Në një episod Megi Fetah dhe Klaus Matishi alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja, të cilët i drejtohet njëri-tjetrin me fjalën “zemër”, bisedojnë rreth një dhurate që mund t’i bëjnë Pajtime Fetahut, nga Marjus Lulaj allias Suel Çela, pas lirimit të Kelmend Xhaferrit i njohur si Kel Çami. Megi i kërkon Klausit që të mos i bëjë dhuratë, por t’i japë lekë “cash”.
Ndërsa në një komunikim tjetër, Klaus Matishi i tregon pedagoges Megi Fetah që pasi të mbyllin disa gjyqe, do të kërkojnë që të vendosin “Luanin” drejtor të spitalit të Elbasanit, pasi aty ka tendera dhe lekë, dhe sipas tij, do të kërkojnë dhe shefin e Antidrogës, që të kontrollojnë qytetin për të shitur “mall” vetëm ata dhe të bëjnë ndonjë lek çunat.
Një episod interesant është dhe momenti kur Klaus Metishi i lëvdon Megi Fetah, mamanë e saj, Pajtime Fetah, duke e konsideruar si burrnesh.
Ky përbën një skandal, ku një person i cili pretendohet se arsimon studentët, mban komunikime të vazhdueshme me anëtarë të bandave kriminale, madje duke lënë të nënkuptohet se ka më shumë se një raport shoqëror.
Deri më tani nuk ka patur asnjë reagim nga Qeveria, si nga ish-ministrja e Arsimit, deputetja e Elbasanit, Evis Kushi, po ashtu edhe ajo aktuale Ogerta Manastirliu, për të ndërmarrë ndonjë akt për shkarkimin ose pezullimin e pedagoges Megi Fetah.