Tre te vdekur një në tentative për t’i dhënë fund jetës, është bilanc “mikrokredie” vetëm në një vit pune.

Mehmet Kadrija nga Puka, ish punonjes i SHISH, ndërroi jetë në rrethana të pashpjegueshme në korrik 2023.
Pal Trashaj nga Lezha, ish drejtues i PD, ndërroi jetë pasi piu fotoksine në dyert e SPAK në qershor 2024.
Olsi Ibro nga Tirana, përfolur si “truri” i MCA, ndërroi jetë pasi u vetëhodh nga lartësia e një pallati në korrik 2024.
Fatime Gashi nga Durrësi, i vuri flakën vetes para Bashkisë së Durrësit, në tetor 2024.
Te katër viktima të së njëjtës skemë, në pozicione të ndryshme por të gjitha viktima të mungesës së shtetit që numëron, më pas heton, por në asnjë rast nuk parandalon.
A ka të tjerë? Raportohen nga të katër anët e Shqipërisë histori të pabesueshme me viktima mikrokredish, me jetë të shkatërruara, familje të mbetura mes katër rrugëve.
PUNONJËSI I SHISH, MEHMET KADRIJA
Mehmet Kadrija, punoi në SHISH për dy dekada. I martuar me dy fëmijë, u fut në çarkun e MCA-së. Sipas të njohurve të tij, “kishte një kredi që e mundonte prej dhjetë vjetësh. Ia kishin marrë dhe shitur një shtëpi në Pukë dhe prapë i kërkonin para. Luftonte me pronarët e MCA-së, sepse ata i mbanin edhe rrogën që e nxirrte me përkushtim si punonjës i SHISH-it. E kishte gruan të sëmurë dhe punonte vetëm për ilaçe.”
Mehmet Kadrija ngriti shtetin në këmbë për padrejtësinë që po i bëhej, por askush nuk iu përgjigj. Banda e përmbaruesve, në krye dhe ajo e bankierëve e qeveritarëve nga pas, e çoi drejt një rruge pa kthim.
Mehmet Kadrija filloi të hetonte vetë për hallin e tij. Mes kolegësh kishte thënë se kishte gjetur fillin e mafies së MCA-së, kush ishin nga pas dhe cilët luanin kartat. Mehmeti i kishte njoftuar edhe eprorët për situatën. Shteti sekret nuk e mbrojti punonjësin e vet, qëndroi indiferent. Në korrik të 2023, Mehmeti u pa për herë të fundit duke pirë kafen e mëngjesit në klubin përballë punës, “Mon Amel”. Nuk dihen shoqëruesit e asaj kafeje, por ndodhi që pas dy orësh ai gjendet i vdekur pa ndjenja brenda në SHISH. Kartela e vdekjes nuk tregoi asnjë arsye për vdekjen, nëse vdiq nga kafeja, nga Covid-i, nga marazi, asnjë shenjë. Në moshën 59 vjeçare, Mehmet Kadrija, varroset në fshatin e lindjes me nderimet e dhjetëra qindra miqve të tij, duke lënë pas një familje të shkatërruar nga dhimbja, që përveç fatkeqësisë do të trashëgonte edhe borxhet që kishte Mehmeti te banda e MCA.
Denoncimet me letra të Mehmet Kadrijës, akuzojnë gjithë shtetin, që nga maja e piramidës së dukshme, qeverisë, deri te shtëpia e fshehtë SHISH, që sigurisht ka qenë në dijeni të halleve të punonjësit të saj.
PAL TRASHAJ
Historiani 63-vjeçar nga Lezha, personazh i njohur në qytetin e Lezhës për aktivizmin e tij kulturor, ishte edhe aktivist politik me PD. Trashaj, ashtu si Mehmet Kadrija, kishte denoncuar fort nëpër institucione një mashtrim që i ishte bërë nga institucioni financiar NOA.
Pali kishte marrë 5 milionë lekë të vjetra kredi te “Opportunity”, që më vonë u quajt NOA. Nga 2008 në 2013 shleu 8 milionë dhe i mbeti borxh NOAs 760 mijë lekë të vjetra. Pali pretendonte se edhe ato i kishte shlyer dhe po e gënjenin. Në 2016, Palit i shkon përmbarimi “Star”, satelit i skemës MCA, dhe i kërkon 4.4 milionë lekë të tjera. Pali nuk kuptoi si u shtua shuma dhe kërkoi sqarime, të cilat nuk ia jepte askush. Në 2017, Star, MCA, ADCA i bllokuan gjithçka; i sekuestruan shtëpinë, tokat, makinën e çdo gjë që kishte familjarisht.
Pali denoncoi në polici, prokurori, kudo, por askund nuk gjente përgjigje, vetëm bllokime për pesë vite me radhë. Për 760 mijë lekë Pal Trashajt i kërkonin 4.8 milionë. Pali, me karakter të fortë burrëror, nuk e duroi poshtërimin e një shteti të tërë dhe i dha fund jetës në formën më demonstrative, përballë “shtëpisë” së drejtësisë së re, në derën e SPAK.
Ende sot, asnjë fajtor nuk është gjetur për vdekjen e Palit, a thua se ai pësoi aksident me makinë në rrugicën që të çon në SPAK.
FATIME GASHI
Fatime Gashi, durrësakja 58 vjeçare, që banonte vetëm me djalin në shtëpi me qira, doli para Bashkisë së Durrësit nësheshin e aj më 21 tetor të këtij viti dhe pasi u spërkat me benzinë, i vuri flakën vetes. Ndërhynë menjëherë policët e rastësishëm aty pranë, që i shuan flakët trupit të Fatimes. Këmbët iu dogjën. Ajo u dërgua urgjent në spitalin e djegieve në Tiranë, ku shpëtoi nga vdekja.
Fatimja nuk kishte 80 mijë lekë të vjetra në muaj qëishte këst për t’ia paguar mikrokredisë.
Fatime Gashi, parase të bënte aktit ekstrem, ishte torturuar shumë here nga presionet e operatorëve sepse nuk kishte shlyer dy muaj, korrikun dhe gushtin e nxehtë.
Fatimja jetonte bashkë me djalin, duke u ushqyer vetëm me pensionin e bashkëshortit të saj të vdekur, që ishte i vetmi burim të ardhurash për qiranë e shtëpisë dhe ilaçet e sëmundjeve të saj. Ata ja merrnin të gjithë pensionin si kredi. Mbetet e paqartë si jetonte Fatimja.
Më e dhimbshme se akti që kreu në Durrës ishte telefonata që Fatimja mori kur ishte shtruar në spital në Urgjencën e Tiranës. Borxhlinjtë e Kredos e morën në telefon dhe i thanë: “Zonja Fatime, nuk na duhet se ke djegur veten; e dimë se je në spital, por ne duam lekët tona!”
Fati i Fatimes mbetet jetim, faji dihet që është I saji, se vetë e dogji veten. Sot ajo ka mbetur mes katër rrugëve, pa shtëpi, pa bukë dhe me këmbët e tretura në benzinën me të cilën u vetspërkat.
OLSI IBRO
Olsi Ibro u quajt “arkitekti” i krijimit të perandorisë MCA, Final, ADCA, ZIG, FLASH, FS, Re/Plus, Consulting Company. Ai ndërtoi një skemë financiare brenda një rrethi familjar dhe shoqëror të ngushtë, me ndihmën e Arben Meskutit dhe dy grave të tyre, Elda Ibro dhe Ernela Çuberi.
Ibro drejtoi rreth 400 punonjës nga viti 2008 deri më 21 korrik 2024, duke mos dalë në asnjë rast direkt në skenë, por të gjithë njihnin Olsi Ibron si aktorin kryesor në skemën e mikrokredive.
Olsi Ibro u raportua nga policia se u vetëhodh nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë, pranë shtëpisë ku banonte, dhe ndërroi jetë menjëherë. Media me burime “policore” raportoi se kishte pirë edhe fotoksinë para se të hidhej nga një lartësi nga ku nuk mund të shpëtonte gjallë.
Habia e vetëhedhjes së tij i hapi rrugë spekulimeve. Më 30 qershor, prokurorët e Tiranës sekuestruan llogaritë bankare të Elda Ibros, Arben Meskutit, MCA dhe disa përmbaruesve. U raportua për 10 milionë euro të sekuestruara, por më vonë doli se ishin vetëm 3 milionë euro.
Një ditë para se të vetëhidhej, Olsi Ibro u pa i qetë në ambientet e MCA bashkë me Oficerët e Policisë Gjyqësore. Ai i shoqëroi të zbatonin një vendim të Gjykatës që sekuestronte në formë të përkohshme preventive MCA dhe Final. Ibro u pa i qetë, ditën e fundit të jetës së tij, duke inkurajuar punonjësit e tij të mos merakoseshin se çdo gjë “ishte në kontroll.”
Ibro kishte të drejtë; prokuroria, ashtu si 4 vite më parë, vazhdoi me qetësi dhe “përkushtim” hetimin e saj, duke caktuar një administrator të zellshëm të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, Indrit Karaj.
Sipas punonjësve që mbetën të shokuar si gjithë opinioni publik për aktin vetëflijues të Ibros, “shefi” nuk kishte pse hidhej, sepse administratori i ri ishte shoku i mikut të tij zv/prokuror në Tiranë. Përveç ditës së parë kur u përhap lajmi i vetëvrasjes së Ibros, një heshtje e organizuar pushtoi për katër muajt në vijim opinionin publik, sipas shprehjes së vjetër “I gjalli me të gjallët, i vdekuri me të vdekurit.”
Me kaq ngjarje “xhalo” të pagjetura në një vit, do kishte zili edhe Hitchkoku me sekretet e filmave të tij.
Një poker vdekjesh dhe tentativash për t’u futur në atë botë janë prodhuar në laboratorin e mikrokredive që vazhdon të grijë fate njerëzish.
Iute Kredit, Kredital, Tranzit po vazhdojnë të ecin bashkë si një tren që shtyp njerëz dhe fatet e tyre kudo nëpër Shqipëri. Brenda tij qëndrojnë bosët që luajnë poker me jetët e tyre.
Kush e ka radhën? Radhën, fatkeqësisht, e kanë ata që janë të pambrojtur dhe të pashpresë ndaj sistemit, si Fatimja, Mehmeti, Pali…janë 100 000 emra që duhen numëruar.