Janë zbardhur detaje nga ngjarja e rëndë ku humbi jetën biznesmeni Eduart Reçi.
Grupi hetimor që po heton vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi ka sekuestruar kamerat e sigurisë.
Në pamje dëgjohet një e shtënë dhe menjëherë 52-vjeçari bie në tokë pasi plumbi e kap në kokë. Fatkeqësisht pamjet e sigurisë nuk kanë filmuar autorin ose autorët për shkak të errësirës. Në pyetje janë marrë familjarët e tij, të cilët kanë mohuar që të kenë dijeni përplasje të Reçit me persona të tjerë.
Eduart Reçi prej disa vitesh merrej me firmën e tij të ndërtimit, ndërkohë më herët ka qënë drejtor në institucionin e SHISH.
Reçi rezultonte pronar i kompanisë ELGM. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes së ndodhur rreth orës 23:00, ashtu sikurse autorët dhe motivet e krimit të rëndë. Reçi me origjinë nga Dibra jetonte pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe plagosja ka ndodhur pranë një lokali.
Megjithëse motivet e sulmit mbeten të paqarta, dyshohet se atentatori mund ta ketë qëlluar nga një distancë e largët, pasi në pamjet e kamerave të sigurisë nuk shfaqen autorët, gjë që ngre dyshime mbi mënyrën e kryerjes së sulmit.
Policia po vijon kërkimet dhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.