Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ndodhet ditën e sotme në Komisionin e Sigurisë në seancë dëgjimore në lidhje me projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2025”. Proda ka folur edhe për ngjarjen me katër viktima që tronditi Shkodrën, teksa garantoi se shumë shpejt lidhur me këtë masakër do të ketë rezultate konkrete, edhe pse Policia po mban të fshehur personin e tretë që i mbijetoi atentatit, teksa emri i ka dalë kudo.
Kryepolici Proda e ka justifikuar këtë masakër duke thënë se ai nuk ka një shkop magjik.
“Për ngjarjen e Shkodrës, me garanci shumë të plotë shumë shpejt do kemi rezultate konkrete. Sikur të kisha shkopin magjik se jam qytetar vete, do e ktheja kohën, por ja që kjo ngjarje na ka ndodhur.”, ka thënë ai.
Në atentatin e Dobraçit, objektiv dyshohet se ishin dy nga viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati si edhe një tjetër që mendohet se udhëtonte me ta në makinë, por që ende nuk është identifikuar nga autoritetet. Dyshimet kryesore të hetuesve janë për praninë e Ibrahim Licit i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka kallëzuar efektivët e policisë për shpërdorim detyre pranë Prokurorisë.
AMP dyshon se ata kishin për detyrë ta shoqëronin këtë person, i cili besohet se ishte i treti që po udhëtonte në mjetin tip Benz, ku ndodhedhin edhe dy viktimat e atentatit mafioz, Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Madje Ibrahim Lici dyshohet se ka mbetur i plagosur në këtë ngjarje, me plagë të lehta që nuk i kanë rrezikuar jetën. Për këtë gjë Policia ka ushtruar kontrolle në spitale dhe klinika private të Shkodrës, kontrolle që nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Gjithashtu hetuesit besojnë se Ibrahim Lici pas masakrës ka shkuar në banesën e tij dhe më pas është dërguar me një makinë në qytetin e Fierit ku është mjekur në një klinikë private. Ndërkohë kontrolle janë ushtruar në klinika jo vetëm në Fier, por edhe në qytete të tjera të jugut. Masakra e 30 tetorit ishte një ngjarje që tronditi vendin ku për pasojë 4 persona humbën jetën. Autorët të cilët ishin me një mjet tip Range Rover, që rezultoi i vjedhur në Durrës në muajin prill qëlluan me breshëri plumbash duke lënë të vdekur Hamza Licin dhe Arlind Bushatin.
Për pasojë mjeti i viktimave përplasi motorin që po lëvizte Bashkim dhe Flutura Basha, çifti i bashkëshortëve të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve të marra.