Dështon për herë të dytë tenderi 4 milionë euro i SPAK-ut për ndërtimin e godinës së re!

Aktualitet

Publikuar: 11/11/2024

Dështon për herë të dytë tenderi 4 milionë euro i SPAK-ut për ndërtimin e godinës së re!

Dështon për herë të dytë tenderi për rikonstruksionin e godinës së re të SPAK-u, ku asnjë firmë nuk mori pjesë në procedurë.

Disa javë më parë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri një njoftim për anulimin e procedurës, teksa një njoftim i njëjtë është publikuar në buletinin e radhës së SPAK-ut. Duket se asnjë prej firmave të ndërtimit, nga ato që luftojnë me njëra tjetrën për të marrë tenderat e institucioneve të tjera, nuk ka preferuar të japë një ofertë dhe të marrë pjesë.

Kjo për qëllim që një pjesë e mirë e tyre po hetohen nga SPAK-u, në disa raste indirekt dhe në raste të tjerë direkt, pasi disa zyrtarë të ARRSH-së janë akuzuar se kanë favorizuar firmat.

Vonesat në ndërtimin e godinës së re, të cilën SPAK-u ia mori Bashkisë së Tiranës, kanë sjellë edhe mbingarkesën në godinën e vjetër të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në godinën e re do të vendosen agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët do të lidhen me godinën e re nëpërmjet një tuneli mbitokësor.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar njoftimin e mësipërm në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Njoftimi është publikuar në datë 11 nëntor dhe është i dyti brenda pak kohësh, që bën fjalë për anulimin e tenderit.

Bëhet fjalë për anulimin e procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtim dhe rikonstruksion për godinën e re të SPAK”, me një fond limit 395.322.783 lekë, pa TVSH, ose rreth 4 milionë euro.

“Arsyet e anulimit janë për arsye se në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme. Autoriteti kontraktor, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zbatojë afatin e ankesave.

Me publikimin e këtij formulari, nisin afatet e ankimit sipas parashikimeve të nenit 110 të ligjit 162/2020 ‘për prokurimin publik’, të ndryshuar” thuhet në këtë njoftim. /Voxnews