Një nga emrat më të njohur në Shkodër, i konsideruar si “Plaku” i fisit Lici, është marrë në pyetje dy ditë më parë nga policia e qytetit, i cili ka dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në 30 tetor, në zonën e Dobraçit, ku mbeti i vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha.
Por menjëherë pas përfundimit të ceremonisë mortore, oficerë të policisë kriminale në Shkodër, kanë shkuar në banesën e tij, për ta intervistuar.
Mustafa Lici, ka dhënë shpjegime mbi atë çfarë dinte për ngjarjen duke treguar se djali i tij, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, kanë qenë shokë të ngushtë dhe kjo miqësi mes tyre është trashëguar edhe për shkak të miqësisë që vetë Mustafa, ka me babain e Arlindit, Xhemal Bushatin. Sipas dëshmisë së Licit, ditën e ngjarjes djali i tij dhe miku i familjes Arlind Bushati, janë nisur në drejtim të Malit të Zi, për të shkuar në Podgoricë.
Në rrëfimin e tij para oficerëve të policisë, Mustafa Lici, ka treguar se djali i tij Hamzai, nuk kishte asnjë precedent penal dhe u vra pa faj. Faji i vetëm i tij ishte se kishte vëlla Ibrahim Licin.
Sipas babait, Hamzai ishte një besimtar i devotshëm, që falte 5 vakte në ditë të fesë islame. Policia mësohet se ka pyetur Mustafa Licin, lidhur me vendndodhjen e djalit tjetër, Ibrahim Lici, por Mustafa u ka treguar ndodhet se në Turqi. Mustafa Licit, i është kërkuar nga policia nëse kishte dyshime mbi ndonjë person konkret se kush mund të ketë marrë pjesë në vrasjen e djalit të tij, të vogël në ngjarjen e 30 tetorit, por ai ka shpjeguar se dyshime kishte shumë, por nuk ishte në gjendje në këtë fazë të tregonte emra konkretë. Pesë ditë nga kjo ngjarje e rëndë, policia e Shkodrës ka ngritur dyshime të forta se atentati është organizuar nga një grup kriminal i përbërë nga familja “Bajri” dhe “Bilali”. Vrasja ka si motiv gjakmarrjen dhe përplasjen historike mes dy fiseve dhe familjes Lici në Shkodër. (Ora News)