Vetëm 11 ditë nga lirimi prej ambienteve të burgut Nr. 313 në Tiranë, Behar Bajri, futet direkt në aktivitet kriminal, duke ndërthurur një skenar për eliminimin e disa prej personave që ai i konsideronte kundërshtarë, megjithëse me disa prej tyre ai pinte kafe në Shkodër.
Përveç skenarëve për të kryer vrasje, fajdeve, lotove, trafikun dhe tregtinë e kokainës apo kultivimin e hashashit, një specialitet brutal i grupit të Behar Bajrit në Dobraç, ishte dhe rrahja e personave të ndryshëm.
Një gjë e tillë ka ndodhur me shumë persona në Shkodër, përfshirë dhunimin e fierakut, Fredi Alizoti, dhe persona të tjerë si: Zamir Naku, një zyrtar Partie, e deri tek individë të tjerë, që Bajri i dyshonte se ishin spiunë të policisë, apo që kërkonte t’ia merrte biznesin. Behar Bajri kishte kapur dhe dhunuar në Dobraç një person të Partisë që etiketohet me nofkën “Tigri”, por deri në këtë fazë nuk është identifikuar se kush është.
Sipas bisedave të zhvilluara në vitin 2020 në aplikacionin “Sky” mes Behar Bajrit dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka, “Tigri” rezulton të jetë person i Partisë dhe në një rast Behari, gjatë kohës kur ishte i izoluar në burg ka kërkuar ndihmën e Pëllumbit, që “Tigri” të ndërhynte për të caktuar prokuror të dosjes, Xhevahir Litën, shkruan oranews.