A do të ndikojnë zgjedhjet në SHBA te ecuria e reformës në drejtësi?
E gjithë bota ka kthyer sytë nga SHBA, aty ku do të zgjidhet kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë.
Fati i shumë shteteve dhe situatave gjeo-politike varen nga aty, teksa ka dhe shumë politikanë në vendin tonë që po ndjekin me kërshëri garën amerikane. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë deklaruar hapur pro Trump dhe kundër demokratëve. Berisha u shpall i padëshiruar nga administrata e Biden dhe ka luftuar fort të sigurojë mbështetjen e administratës republikane. Ai shpreson se me rikthimin e Trump do t’i hiqet “non grata” dhe do të ndryshojë situata penale.
Ndërkohë Meta ndodhet në qeli edhe për shkak të Trump. SPAK ka zbuluar se ai ka fshehur lobimet në SHBA kur Trump ishte president dhe shpresat e Metës ishin se do t’i shpëtonte burgut me rikthimin e Trump. Madje luftoi fort që të qëndronte jashtë burgut deri më 5 nëntor.
Por duket se SPAK ka qenë një hap para tyre. Nëse shohim me kujdes, prokuroria dërgoi Berishën për gjykim dhe arrestoi Ilir Metën para se të mbahen zgjedhjet në SHBA. Dikush mund të thotë se është rastësi, por nëse shohim pas, mund të mos jetë ashtu.
Ilir Meta ishte në vorbullën e prokurorisë para se Trump të fitonte zgjedhjet në SHBA në vitin 2016. Në atë kohë plasi skandali CEZ-DIA dhe pati shumë akuza ndaj tij. Prokuroria nisi hetimet dhe mes personave që ishin në skaner ishte dhe Ilir Meta. Por sapo Trump u zgjodh president, hetimet ngadalësuan. Befas në vitin 2017 u dënua vetëm Kastriot Ismailaj. Në të njëjtën kohë plasi më pas skandali i lobimeve. Rrjeti investigativ “Birn” në atë kohë ishte i pari që zbuloi mashtrimet e LSI me faturat e lobimeve. Adriatik Llalla nuk guxoi të hapë asnjë hetim. Ndërkohë kemi elementin tjetër: në Tiranë nuk ka ende një ambasador amerikan dhe me gjasë nëse fiton Trump, do të kemi një mbështetës të tij. Ndonëse përgjithësisht SHBA në politikën e jashtme nuk ndryshon shumë, nuk i dihet se çfarë ndodh. SPAK deri tani ka punuar sipas udhëzimeve të Uashingtonit dhe pas zgjedhjeve asgjë mund të mos jetë si më parë, sidomos nëse fiton Trump.
Prokurorët duket se e kanë nuhatur dhe i kanë paraprirë situatës, duke mos lënë asnjë shteg për ndikim. Dosja e Berishës ka shkuar për gjykim dhe nuk e shpëton më asgjë. Ndërkohë Meta është pas hekurave, faktet janë kopsitur dhe me gjasë derisa të nisë punë administrata e presidentit të ri, edhe ai mund të përfundojë për gjykim.
Por kemi edhe emra të tjerë që padyshim presin fitoren e Trump. Edhe pse kryeministri nuk e shpreh, një fitore e Trump do t’i hapte rrugë projekti të Sazanit dhe Rama do hynte në miqësi me dhëndrin e presidentit amerikan.
Po ashtu kemi McGonigal dhe disa dosje të tjera që administrata aktuale i ka të hapura dhe jo më kot ai u tregoi “Ndoc Rrokun”. Por duhet të presim të mërkurën (nëse gjithçka ecën normalisht) për të parë se kush do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. /Pamfleti