SPAK merr të pandehur Eduard Duron, kryebashkiakun e Devollit, nën akuzën “shpërdorim detyre”.
Komunikimi i akuzës iu bë pak ditë më parë. Duro akuzohet se licencoi një biznes, pikë karburanti në Bilisht, që ishte ndërtim pa leje.
Hetimi i SPAK vjen pas një kallëzimi të depozituar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, nga një subjekt tjetër, informon gazetarja Keti Banushi.
Vetë Duro mohon akuzën duke thënë se ka firmosur autorizimin e ligjshëm të Tatim-Taksave për shitjen e subjektit.
‘Nuk kam shpërdoruar detyrën, por plotësova detyrën si kryetar bashkie”.
Në reagimin zyrtar shpërndarë nga zyra e shtypit e Bashkisë Devoll vihet në dispozicion të medias dhe dokumenti i autorizimit, që e cilëson “konform ligjit”.
Kryebashkiaku 48-vjeçar që ka mbaruar studimet për Marketing në Universitetin e Korçës, ka punuar si inspektor kontrolli në Tatimet e Devollit dhe si agjent doganor në Kapshticë, deri në momentin që është zgjedhur si kryebashkiak për PS, në zgjedhjet e 30 Qershorit të vitit 2019 dhe ky është mandati i dytë i tij.
Ndër kryebashkiakët që janë marrë të pandehur së fundmi nga SPAK është edhe ai i Libohovës, Leonard Hide, për kohën kur ishte shef policie në qarkun e Gjirokastrës, për lejimin e kultivimit të parcelave të drogës në disa zona.