Vijon gjuetia e shtrigave te Syri TV, largohet nga puna Armand Maho për pazaret e Shkëlzenit me pushtetin. Këshilli i Medias dhe Unioni heshtin

Kryesore

Publikuar: 27/10/2024

Vijon gjuetia e shtrigave te Syri TV, largohet nga puna Armand Maho për pazaret e Shkëlzenit me pushtetin. Këshilli i Medias dhe Unioni heshtin

Syri Tv ka shkarkuar nga puna editorin redaksional, Armand Mahon. Maho është një gazetar me mbi 25 vjet përvojë në median e shkruar dhe atë vizive. Gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në disa nga mediat më të rëndësishme të shtypit të shkruar prej viteve ’90, Armand Maho është hedhur në rrugë, siç mësohet, pa një shkak të arsyeshëm. Një urdhër arbitrar i eprorëve dhe gazetarit i është përplasur dera në fytyrë.

Kolegët e tij gazetarë janë të vetmit që kanë ngritur shqetësimin në bisedat mes tyre, pasi kjo është e vetmja mundësi ankese për ta, në kushtet e një pamundësie për t’iu drejtuar një autoriteti që mbron dhe përfaqëson interesat e gazetarëve.

Këshilli i Medias apo Unioni i Gazetarëve funksionojnë vetëm për të marrë projekte dhe ofiqe nga donatorë të ndryshëm dhe drejtuesit shohin interesin e vet dhe aspak atë të gazetarëve.

Shkarkimi i Armand Mahos është në vazhdën e disa vendimeve arbitrarë dhe poshtëruese të drejtuesve të Syri Tv dhe Syri.net ndaj gazetarëve. Por ajo që e bën më të rëndë flakjen e Mahos nga puna është fakti që lidhet me bindjen e tij si i djathtë, konservator dhe demokrat, i cili për asnjë moment nuk e ka fshehur simpatinë dhe mbështetjen për të djathtën dhe veçanërisht për opozitën aktuale e cila e sheh veten prej 12 vitesh larg pushtetit. Pra, televizioni i Sali dhe Shkëlzen Berishës ka pushuar nga puna një demokrat.

Një gjueti shtrigash që nuk ndalet prej paranojave dhe armiqve që shohin në horizont sa herë punët nuk i kanë në rregull prej telasheve me drejtësinë dhe humbjes së vazhdueshme të mbështetjes te shqiptarët dhe veçanërisht te elektorati i djathtë.

Mbetet e pakuptimë se si një media që përfaqëson interesat e opozitës të shohë armiq brenda radhëve të veta dhe brenda radhëve të vetë PD-së, aq më tepër kur flitet për personazhe të njohur dhe me kontribute brenda te demokratët.

Armand Maho është thjesht viktima e radhë. Ai u përdorur kohë më parë nga Syri i Berishës për të denoncuar grabitjen imagjinare të pronave nga Edi Rama dhe familjarët e tij në Vuno e Gjipe. Si të mos mjaftonte keqpërdorimi në ekran dhe portalin Syri.net, gazetarit do t’i duhet tanimë të përballet edhe në gjykatë pas depozitimit të padisë për shpifje nga studioja ligjore e kryeministrit Edi Rama. Syri Tv, duke larguar Armand Mahon nga puna, i shpëton kështu edhe përgjegjësisë penale, duke ia ngarkuar (veprën nëse do të gjendet fajtor) vetë gazetarit, i flakur jashtë dyerve të televizionit.

Shkarkimi i Armand Mahos po shfrytëzohet nga pronari de facto i Syri Tv, Shkëlzen Berisha, si shkelje syri ndaj kryeministrit Edi Rama, 1 vit pasi ky i fundit firmosi kullën 64 kate “Mali i Tiranës” pas të cilës qëndron vetë djali i ish-kryeministrit. Por interesat e Shkëlzenit te Rama kapërcejnë edhe “Malin e Tiranës”.

Koncesione të tëra miliona euro firmosen nga me ndikimin e Edi Ramës për interesa të biznesmenëve të ndryshëm pas të cilëve vijon të fshihet Shkëlzen Berisha. Për ta vërtetuar këtë mjafton të sjellim në vëmendje një biznesmen të fuqishëm që sillet si delfin sa te Rama, te Berisha. Merr leje ndërtimi për komplekse banimi në zonat më të shtrenjta të Tiranës. Fiton tendera dhe prokurime publike në ndërtime autostradash të florinjta siç shprehet Sali Berisha por që nuk guxon t’ia përmendë emrin. Dhe milionat ndahen mes biznesmenëve vanitozë dhe Shkëlzen Berishës.

Syri i Shkëlzenit vijon të bëjë “koka turku” sepse i duhet Edi Rama. Njësoj siç i duhet Çim Pekës, Veliaj, kur pinin kafe e hanin dreka te restoranti luksoz i “Kodrës së Diellit” në shoqërinë e biznesmenit që ndodhet në dosjet e SPAK apo kur luanin murlan e pesëkatësh në zyrën e pronarit de jure të Syrit shoqëruar nga avujt e Whisky dhe Johny Blue.

Por pazaret e familjes Berisha në kurriz të demokratëve nuk mbarojnë me kaq. Armand Maho duhej shkarkuar nga Syri Tv sepse “shkeli në kallo”, me apo pa porosinë e Shkëlzenit. Por këtij të fundit nuk i intereson fati i një gazetari, editori redaksional apo edhe kryeredaktori që jeton me rrogën mujore e cila asnjëherë nuk jepet në kohë dhe e plotë pasi ndahet nëpër zarfe e shpërndahet dorazi si punë e paguar te semafori.

Armand Maho duhej shkarkuar sepse kështu Ramës i dërgohet mesazhi se “ne nuk e kemi seriozisht me ty”, “këta “budallenjtë” që investigojnë bëjnë sikur punojnë, por në fakt ne duam ato 20 milionë eurot si pronarë të tokës te Porti i Ri në Porto Romano”.

Pse Porto Romano?

Atje do shpronësohen pronarët e tokës ku do të ndërtohet Porti i ri i Durrësit dhe përfitues të shpronësimeve janë pikërisht njerëzit e afërt të Shkëlzen Berishës që zakonisht i përdor për të hedhur pasuritë ne emër të tyre. Porti i ri u vendos të ndërtohej pasi qeveria vendosi të shndërrojë në kompleks turistik të vjetrin në Durrës ku do të jetë “Durrës Marina”.

Por ajo çfarë zbulon lista e pronarëve që do të shpronësohen në fazën e parë është tepër interesante. Në të përfshihen familjarë dhe tarafi i ngushtë i familjes Berisha, persona të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë në punë e transaksione, sidomos me zotin Shkëlzen Berisha, i biri i ish- kryeministrit.

I pari person që bie në sy është Ismail Mulleti. Ky i fundit është një biznesmen dhe lidhje tepër e besuar e familjes Berisha.
Ismail Mulleti ka marrë një koncesion në kohën e qeverisjes Berisha. Në shtyp janë ekspozuar disa transaksione dhe kontrata shit/blerje tokash në Porto Romano mes tij dhe zotit Shkëlzen Berisha.

Ismail Mulleti posedon 2 hektarë tokë në emrin personal në listën e shpronësimeve të portit të ri. Një sipërfaqe tjetër prej gjysmë hektari ai e posedon në emrin e kompanisë GFI.

Një tjetër emër që bien në sy në listë është zonja Shpresa Breçani. Ajo është mbesa e ish-kryeministrit Berisha dhe posedon të paktën 1.6 hektarë tokë në zonën pranë Porto Romanos.

Biznesmeni Shkëlqim Beshiri, i njohur si “garanti te Berishajt” për emërimin e Adriatik Llallës si kryeprokuror, rezulton në listën e shpronësimeve me 602 metra katrorë pronësi. Por ajo çka shfaqet më interesante në këtë listë është një kompani e quajtur “Stellar Real Estate”. Kjo kompani posedon vetëm në këtë listë të paktën 8 hektarë tokë. Investigime të mëparshme mediatike kanë zbuluar se kjo kompani me pronar misterioz ka lidhje direkte biznesi dhe kontratash përfaqësimi me Shkëlzen Berishën dhe me Ismail Mulletin.

Kompania “Stellar Real Estate” është me pronarë ende të panjohur dhe e regjistruar në Gjibraltar. Në Tiranë filialin e administron një juriste e quajtur Entela Shehaj (Memishaj) e cila disa vite më parë u propozua nga Partia Demokratike si kandidaturë për postet vakante në sistemin e ri të drejtësisë. Ajo si juriste ka punuar shumë pranë familjes Berisha, së bashku me Erinda Ballancën. Entela Shehaj rezulton gjithashtu ortake me Ismail Mulletinn ë kompaninë “IMAH 2014”. Shehaj posedon 10% në këtë kompani, ndërsa Mulleti 45%.

Në vitin 2009 kompania “Stellar Real Estate” me një prokurë të posaçme autorizoi Shkëlzen Berishën që t’i gjente 5 hektarë tokë në këtë zonë. Është ende e paqartë si dhe sa u pagua Shkëlzen Berisha për këtë mision, por i sigurtë është fakti se ndërsa vepronte si agjent i Entela Shehajt, ai ishte në këtë kohë dhe djali i kryeministrit të vendit dhe mund të kishte akses në planet afatgjata për zhvillimin industrial të kësaj zone.

Të gjithë këta personazhe të lidhur në mënyrë integrale me familjen Berisha i kanë përfituar këto toka mbi 15 vite më parë, ndërsa tani janë afro 20 hektarë të dokumentuar në pronësi të tyre. Qeveria Rama ka përcaktuar një bazë çmimi prej 6 eurosh (kursi i këmbimit 13 gusht 2024) për metër katror në vendimin e shpronësimit, por ka lënë të hapur opsionin që nëse këta pronarë duan të këmbejnë metrat e tyre diku tjetër, mund ta bëjnë.
Aktualisht çmimi për metër katrorë në këtë zonë është 100-125 euro, për metër katrorë. Këta pronarë mund ta ankimojnë me lehtësi çmimin në gjykatë administrative për të kërkuar çmim tregu.

Procesi është i thjeshtë pastaj, gjykatësi i kërkon hipotekës zyrtarisht se me çfarë çmimesh janë bërë transaksionet e tokave nga privatët dhe çmimin mesatar e përcakton si marzhë shpronësimi. Çmimi mesatar në këtë zonë është 100 euro për metër katrorë dhe me kaq territore sa përcakton kjo listë, pra rreth 20 hektarë të tarafit Berisha, llogaritet që ky grup të përfitojë rreth 20 milionë euro.

Ndërkohë në listë janë dhe biznesmenë të njohur shqiptarë që posedojnë territor në këtë zonë, ndërsa një hetim i thelluar mund të gjurmojë nëse dhe këta biznesmenë i kanë përfituar tokat nga marrëdhënia e shit-blerjeve me kompaninë real estate të Entela Shehajt apo nga marrëdhënia me Ismail Mulletin në të kaluarën.

Prandaj edhe Armand Maho e të tjerë para tij, gazetarë profesionistë por të pozicionuar djathtas për shkak të bindjeve të tyre, duheshin shkarkuar nga media e familjes Berisha sepse i prishin punë “komandantit” për të marrë mandatin e katërt, por që është dorëlëshuar dhe ia mbush xhepat e llogaritë me miliona Shkëlzenit, Argitës e dhëndrit i cili edhe në masë arresti shton pallatet në Tiranë.