Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili disa kohë më parë është marrë i pandehur, lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohen kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Përfaqësuesit ligjor janë paraqitur në SPAK për tu njohur me përfundimin e hetimeve, ndërsa kanë disa ditë kohë të përgatisin memot e tyre, para se dosja të zbresë në GJKKO me kërkesën e nisjes së gjykimit.
Akuza Ndrecës i është komunikuar për “Shkelje të barazisë në tender”, ndërsa bashkë me të, u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli I Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë. Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.
Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.
Ndërkaq, po sot kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndarë përmes rrjeteve sociale një denoncim të fortë nga një qytetar, i cili kritikon ashpër procesin e emërimeve në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Me titullin “Drejtësia e re! Turpi i kohës!”, Berisha sjell në vëmendje rastin e dy individëve të përfshirë në pozita të rëndësishme gjyqësore pa, siç pretendohet, përvojën e nevojshme apo integritetin e duhur.
Sipas denoncimit të qytetarit dixhital, Ina Yzellari është emëruar gjyqtare në Elbasan pa pasur asnjë përvojë pune paraprake.
Më tej, pretendohet se në CV-në e saj, ajo nuk ka përmendur faktin se ka qenë administratore në një firmë ligjore që lidhet me Plarent Ndrecën.
Ndreca, gjithashtu i emëruar në pozita të larta, është objekt i kritikave për përfshirje të dyshimtë dhe lidhje me këtë firmë ligjore.
Berisha, përmes këtij denoncimi, thekson dështimin e reformës në drejtësi, duke e konsideruar këtë një shenjë të qartë të rënies morale dhe profesionale në sistemin gjyqësor të vendit.
DENONCIMI I BERISHËS:
Drejtësia e re! Turpi i kohës!
Administratorja e Plarent Ndreces emërohet Gjyqtare në Elbasan, Ina Yzellari pa bërë asnjë ditë pune në jetën e saj emërohet Gjyqtare. Ne CV-në e saj nuk e ka shënuar që ka qenë administratore në një firmë ligjore që përkon si firma e hajdutit Plarent Ndreca.