Arrestimi i Çyrbjes/ Në pranga edhe kunati i vëllait të ish-deputetit! Kush është Ahmet Masha, u pyet për atentatin e Plaurent Dervishajt në 2019, u akuzua edhe për naftë kontrabandë

Krim & Korrupsion

Publikuar: 20/10/2024

Arrestimi i Çyrbjes/ Në pranga edhe kunati i vëllait të ish-deputetit! Kush është Ahmet Masha, u pyet për atentatin e Plaurent Dervishajt në 2019, u akuzua edhe për naftë kontrabandë

Me urdhër të SPAK, mbrëmjen e sotme u arrestua ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja për lidhje me një grup kriminal në Durrës. Bashkë me Çyrbjan është arrestuar edhe Ahmet Masha, i cili mësohet se është kunati i vëllait të ish-deputetit. Masha dhe Çyrbja kanë qenë bashkë në momentin e arrestimit në Durrës.

Masha nuk është një emër i panjohur për Policinë dhe drejtësinë. Në vitin 2019, Masha rezulton se është marrë në pyetje nga Policia e Durrësit lidhur me atentatin që u organizua ndaj Plaurent Dervishajt, një personazh mjaft i njohur i botës së krimit. Masha vetëm është marrë në pyetje, pra s’ka qenë në hetim apo akuzë për atentatin ndaj Plaurent Dervishajt më 20 qershor 2019. Aso kohe, 43 plumba kallshnikovi u derdhën drejt Plaurent Dervishajt, si edhe dy miqve të tij, Julian Meçe dhe Bashkim Haxhija. Të tre i shpëtuan atentatit. 

Ndëkohë, në dhjetor të vitit Masha 2013 rezulton se ka pasur një çështje penale në ngarkim për kontrabandë nafte, bashkë me të dyshuar dhe hetuar të tjerë. Në total 8 persona. Në atë dosje ka qenë edhe një e halla e deputetes së PD, Albana Vokshi, që u hetua  nga Prokuroria dhe Policia. Ahmet Masha, atëkohë 30 vjeç, sipas dosjes hetimore, akuzohej se ka qenë i përfshirë në kontrabandën e naftës me anijen në pronësi të babait të tij, “Rovato”. Gjykata e Durrësit i ka lënë në paraburgim me “arrest në burg” dhe nuk ka informacione se si ka vijuar çështja penale më tej./shqiptarja.com