Eranda Shalsi, gruaja e dytë e Eduard Shalsit, gjatë vitit 2023 ka blerë një apartament dhe garazh me vlerë 300 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë Eranda Shalsi thotë se burimi i parave për blerjen e pasurisë së paluajtshme është ‘të ardhura nga biznesi’.
Në emër të zonjës Shalsi rezulton një biznes (person fizik) që në vitin 2016, me objekt arkitekte dhe auditim i energjisë në ndërtesa.

Në vitin 2023, Eranda Shalsi deklaron të ardhura nga biznesi rreth 18 mijë euro. Në vitin 2016 deklaron rreth 7 mijë euro, në vitin 2017 deklaron 8 mijë euro, në vitin 2018 rreth 23 mijë euro, në vitin 2019 rreth 3.4 mijë euro, në vitin 2020 deklaron 3 mijë euro dhe befas në vitin 2022 deklaron 110 mijë euro.

Edhe pse shuma 110 mijë euro në vitin 2022 është e dyshimtë në raport me të ardhurat modeste të viteve të tjera, të ardhurat nga biznesi nuk justifikojnë blerjen e apartamentit dhe garazhit nga bashkëshortja e Shalsit në vlerën 300 mijë euro.
Por, gjatë vitit 2023, Eranda Shalsi deklaron rreth 150 mijë euro të ardhura nga aktiviteti.

Nuk specifikohet se çfarë aktiviteti ka kryer zonja Shalsi, e cila ka fituar 150 mijë euro brenda vitit. Nuk ka dyshim se këto të ardhura janë ndryshe nga të ardhura nga biznesi si person fizik, por mbetet mister natyra e aktivitetit.
Në vitet e mëparshme, Eranda Shalsi ka deklaruar të ardhura modeste si menaxhere projektesh, si për shembull menaxhere e projektit REEHUB IPA CBC Italy- Albanian-Montenegro.


Dy shuma, 110 mijë euro në vitin 2022 dhe 150 mijë euro në vitin 2023 janë tejet të dyshimta dhe të pazakonta, me të cilat duket se është justifikuar blerja e apartamentit 300 mijë euro.
Shuma prej 260 mijë euro në dy vjet është një indicie e fortë për SPAK për të nisur një hetim, nëse paratë burojnë nga abuzimi i Eduart Shalsit gjatë ushtrimit të detyrës si Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
A e ka blerë Eranda Shalsi apartamentin 300 mijë euro me para që kanë ardhur nga buxheti i shtetit apo kompani që janë favorizuar nga burri i saj si ministër apo si kryetar i Komisionit të Ekonomisë?!

A është financuar Reehub Plus edhe nga paratë e buxhetit të shtetit me ndikimin e Eduart Shalsit?