Ka mbi dy ditë që një vajzë është zhdukur në Tiranë, por policia e Tiranës, jo vetëm që nuk po bën asnjë veprim për ta gjetur dhe për të kapur autorët, por po pengon operacionin.
Bëhet fjalë për një vajzë 21 vjeçe me inicialet U.Q, nxënëse e gjimnazit të Yzberishit, Myslim Shima, e cila i përket pjesës me nevoja të veçanta, ndaj edhe mosha e saj është e lartë e jashtë logjikës normale të nxënësve të tjerë.
Vajza jeton vetëm me nënën dhe me motrën, e cila është gjithashtu me aftësi të veçanta, ndërsa babai i saj ndodhet në emigracion. E ëma e vajzës ka dy ditë që kërkon në polici vajzën, por komisariati Nr.6 i Kombinatit, nuk ka bërë hapat e duhura, e kemi të bëjmë së paku me neglizhim, por ka mundësi edhe më tej.
Themi kështu, pasi policia, edhe pse kanë kaluar 48 orë nuk ka hapur kamerat e sigurisë së shkollës apo edhe bizneseve rreth e rrotull, kur nga ky operacion mund të shikojë situatën.
Banorët e zonës, të shqetësuar së bashku me komunitetin e shkollës i janë drejtuar Pamfletit që të publikojë këtë fakt, si një shqetësim, e i kërkojnë urgjent që të gjendet vajza. Siç mësohet, shumë shpejt një komunitet i Yzberishtit do të shkojnë te ministria e Brendshme ku pritet të denoncojnë policinë për një sjellje të rëndë karshi një familje të varfër dhe me probleme të mëdha.