Kulla, kompleks vilash, hotele e prona publike, përfitimet korruptive të Ilir Trebickës për shkak të njohjes me Ramën

Investigim

Publikuar: 25/09/2024

Kulla, kompleks vilash, hotele e prona publike, përfitimet korruptive të Ilir Trebickës për shkak të njohjes me Ramën

Nuk ndalet Ilir Trebicka, një nga përfituesit më të mëdhenj të pasurive publike falë njohjes që ka me Edi Ramën, njeriun që ndan prej 13 vitesh Shqipërinë si plaçkë lufte me një rreth klientësh, sigurisht duket gostitur dhe mbyllur gojën me tendera, kulla dhe prona edhe dy kundërshtarëve të tij në teatrin politik.

Ish baskebollisti që u kthye në oligark, falë miqësisë me kryeministrin Edi Rama që nga koha kur të dy kanë qenë të angazhuar me basketbollin, ka përfituar miliona m2 prona publike ai dhe leje për ndërtim kullash, kompleks pallatesh, vilash dhe resorte nga Tirana në Dhërmi.

Në fillim të muaj korrik 2024, një muaj para miratimit të lejes për kullë 40 kate te Liqeni, Këshilli Kombëtar i Territorit me në krye Edi Ramën ka miratuar një leje për Ilir Trebickën për të ndërtuar një kompleks vilash dhe pallatesh në Farkë, mbi tokë të përfituar në mënyrë të dyshimtë.

Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks me banesa individuale 1 dhe 2 kate me mure rrethuese dhe godina banimi 1, 2, 3 dhe 4 kate me 1 kat parkim nëntokë”, me vendndodhje në Farkë, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Trema Investment” sh.p.k.“, thuhet në vendimin e KKT.

Kompania Trema Investment është në pronësi të Ilir Trebickës, i cili ka 40 % të aksioneve, Ilir Hoxhallari 20%, turku Yusuf Gõkdemír 20% dhe Ermal Koka 20%. Ilir Trebicka është edhe administrator i kompanisë përfituese, themeluar në vitin 2023, me kapital 100 mijë lekë.

Krahas misterit të përfitimit të pronës ku do ndërtohen vilat deri në 4 kate, ngrihen dyshime edhe për pastrim parash, pasi kemi të bëjmë me një kompani fantazmë, pa veprimtari.

800 hektarë tokë në Divjakë

Ilir Trebicka ka marrë në vitin 2018 rreth 800 hektarë prona publike në Divjakë për të ngritur një fermë, ndërsa 5 vite më vonë ka marrë leje për një impiant fotovoltaik, me kapacitet të instaluar 78.5 MW, në bashkëpunim me Shpëtim Osekun, Marin Metsel dhe Ilir Hoxhallarin. Ky i fundit është përfitues i dhjetëra milionë euro tendera publikë.

Pronën publike e ka përfituar përmes kompanisë Agro Iliria Group, me të të cilës kontrollon edhe kompanitë Agro Iliria Solar
dhe PELIKAN ENERGY.

Prona publike falas është përfituar me vendim Këshilliit të Investimeve Strategjike, me në krye Edi Ramën, pa garë dhe me paracaktim për shokun e tij Ilir Trebicka.

Edhe kjo dosje është për Altin Dumanin dhe SPAK, pasi plani i zhvillimit ishte për 800 hektarë, por ky eksperiment dështoi pas disa viteve pasi kulturat rezultuan jo të përshtatshme për kultivim në tokë të kripur.

Por në vitin 2020 kompania e fitoi statusin e investitorit strategjik duke shtuar tre kultura të reja të përshtatshme: Rrushin, dardhën dhe kivin. Kështu me anë të së njëjtit vendim u miratua edhe leja për ndërtimin e një agroturizmi brenda në fermë.

Më pas në zonën e përfituar nga shteti me 1€, Ilir Hoxhallari e Ilir Trebicka diversifikuan planin e tyre duke ndërtuar një impiant fotovoltaik për t’i shitur shtetit shqiptar energji. Pra, bënë eksperimente me pasurinë publike në Divjakë.

Ilir Trebicka, investitor strategjik, resort dhe vila në Dhërmi

Për shkak të njohjes me Ramën, Ilir Trebicka, përmes kompanisë “Drimadhe I & I” sh.p.k., ku është aksioner mazhoritar dhe kasioner në Minorancë Ilir Hoxhallari, ka marrë pesë vite më parë statusin e investitorit strategjik dhe leje për një fshat turistik në zonën e Dhërmiut.

Kompleksti turistik “Thymus” përmban 2 hotele dhe një fshat turistik me 38 vila dy-tre katëshe që po ndërtohet në Dhërmi.

Më vonë, Edi Rama vendosi t’i shtojë edhe 2,336 metra katrorë sipërfaqen e ndërtimit për mikun e tij Ilir Trebicka.

Vendimi për ndryshimin e projektit është marrë 5 vite pasi subjekti mori statusin e investitorit strategjik, në vitin 2019.

Këshilli Kombëtar i Territorit me një vendim të prillit të këtij viti, ka vendosur jo vetëm që investitori të ndryshojë projektin, por të miratojë edhe ndryshimin e zhvilluesit të tij.

Duke krahasuar planvendosjen e vitit 2019, kur Ilir Trebicka mori statusin e investitorit strategjik me kusht, me atë të vitit 2024  vihet re se ndryshime në numrin e kateve do të pësojnë dy hotelet, që do të konvertohet edhe në shtim të sipërfaqes ndërtimore.

Një tjetër ndryshim thelbësor është ai i zhvilluesit të këtij projekti. Nëse më parë Ilir Trebicka kishte marrë përsipër ndërtimin e “Hotel Chaonians Deluxe” një hotel me 4 yje, për një vlerë 5.5 mln euro, tashmë porositës dhe zhvillues do të jenë “Drimadhes I&I”, “Chaonian” Sh.p.k dhe Kristaq Duni.

Ajo që e bën të dyshimtë këtë lëvizje është fakti se Ilir Trebicka ia ka “shitur” vetes investimin strategjik, pasi ai zotëron 51% të kuotave të “Drimadhes”, ndërsa 49% zotërohen nga Ilir Hoxhallari. Ky i fundit zotëron 50% të aksioneve te kompania tjetër “Chaonian”.

Pavarësisht vendimit të KKT-së për ndryshimin e zhvilluesit, në Qendrën Kombëtare të Biznesit as Ilir Trebicka dhe as kompania “Drimadhes I&I”, nuk kanë depozituar deri më tani ndonjë dokument që të vërtetojë këtë transaksion.

Referuar adresës që lexohet në vulat e kompanive, mbi maketin e ndryshimeve të depozituar pranë KKT-se, të treja kompanitë “Drimadhes I&I”, “Chaonian” Sh.p.k dhe ajo projektuese “Trema” kanë të njëjtën adresë.