Prapaskena

Dosje rozë

‘Magjistricat’ e sistemit të drejtësisë. Janë tre apo më shumë? Skandale erotike, korruptive dhe intriga

Publikuar: 03/09/2024

Magjistratet që pregatit sistemi ynë i drejtësisë mund të jenë shumë mirë personazhe të filmave hollivudianë.

Eriona Daupaj, e njohur ndryshe si “Nikita” e Prokurorisë, është arratisur jashtë Shqipërisë disa ditë para se të dilnin urdhër arrestet për prokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, avokatin Radovan Çela, biznesmenin Astrit Vladi dhe vetë atë magjistraten që shpejt do bëhej gjyqtare.

Çështja “Toyota Yaris” e sjellë në Shqipëri nga autoritetet belge të drejtësisë e ka vendosur SPAK në një pozicion sfidues për vetë “zbërthimin” telefonik që i kanë bërë sistemit të korruptuar të drejtësisë belgët, sidomos organit të akuzës shqiptare.

Thuhet nën zë se telefoni Enchro i “Nikitës” shqiptare përmban komunikime bombastike që implikojnë disa titullarë me zë të organit të akuzës në kryeqytet, deri tek ata të SPAK-ut.

Arnisa Këlliçi, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës deri në shkurt të këtij viti, ishte një magjistrate e sistemit të drejtësisë.

“Gangsterja” Këlliçi do të mahniste me talentin e saj edhe regjisorët më të sprovuar të filmave thriller, teksa sajoi një histori të koklavitur ku u përfshinë gjyqtarë, avokatë, prokurorë dhe kancelarë të sistemit, duke përgojuar pothuajse gjithë kupolën e tij.

Si çdo ngjarje e bujshme e këtij viti, që venitet brenda disa ditësh edhe “ngjarja” Këlliçi pati pikun e saj në mesin e muajit shkurt dhe prej asaj kohe nuk është folur më për të.

A gënjeu Arnisa Këlliçi në rrëfimin e saj publik, apo mos tha të vërtetën dhe askush nuk guxon ta prekë se ajo di më shumë se “Nikita”?

Hetimet e Prokurorisë së Durrësit vazhdojnë.

Por sa muaj e vite duhen për të hetuar e vërtetuar nëse fjalët e Arnisa Këlliçit ishin të vërteta ose jo?

Vasjana Postoli, edhe kjo magjistrate e Reformës në Drejtësi. Prokurorja Postoli, në fillim të gushtit, bëri pakt me “gangot” e Pogradecit, kur ata vranë Egli Progën, dhe kjo e konsideroi autorin që u dorëzua si vrasës “nga pakujdesia” dhe tre bashkëpunëtorët e tij i la të qetë me “Mos kallëzim krimi”.

Mediat dhanë live se si makina, ku u gjet i gjakosur dhe pa ndjenja i ndjeri Egli Proga, u largua nga vendi i krimit nga njëri prej autorëve, ndërsa Postoli jo vetëm që nuk e “pa” por u tregua më “gangstere” se vetë kriminelët, kur hoqi edhe akuzat që u vuri policia.

Çështja “Proga” iu hoq nga duart magjistrates së Bashkisë Korçë, Vasjana Postoli, për shkak të irritimit popullor por “gangsterja” nga Drenova për pak sa nuk shkaktoi një tërmet në rrugët e Tiranës, me pretencën e saj “nuk vdes burri nga një shpullë”.

Vetëm tre magjistrate të sistemit të ri të drejtësisë kanë krijuar shumë pështjellim dhe kanë ngritur goxha dyshim, me aktet që janë bërë publike.

A ka të tjera magjistrate si këto? Sa mund të jenë?

Po sikur të jetë mbushur sistemi me magjistrica që presin radhën për të treguar bëmat e tyre?!



Më të lexuarat