Lekët e kujt “hëngrën” viktimat e plagosjeve të gushtit? Motrat Berisha e Komisar Goxhara treguan se tradhtia nuk është çështje xhelozie. Griselda e Mir Pepa janë thjesht sebepi…lufta bëhet për para

Dosje rozë

Publikuar: 27/08/2024

Lekët e kujt “hëngrën” viktimat e plagosjeve të gushtit? Motrat Berisha e Komisar Goxhara treguan se tradhtia nuk është çështje xhelozie. Griselda e Mir Pepa janë thjesht sebepi…lufta bëhet për para

Gushti i 2024-ës u mbush me video “tradhtie”. Erjon Goxhara pasi qëlloi viktimën e tij dëgjohet t’i thotë: “Ti t’ia hash lekët nuses sime… o m…rq.., s’e ha dot ti djersën e familjes sime!”

Pothuaj e njëjta shprehje, e njëjta sharje u përdor edhe nga motrat Berishaj kur e goditën rivalen Prenga në një restorant, me gotë në fytyrë. Ndryshonte vetëm “nusja” me “burrin,” sharja me motër njelloj.

Si të tradhtuarat nga Shkodra, ashtu edhe ai nga Tepelena, patën të dyja palët të njëjtin problem: paratë që po ua merrte dikush tjetër, jo dashurinë. Nëse do të ishte dashuri, dhuna do të binte mbi tradhtarin.

Videoja e parë e dhunës ekspozoi oficerin e policisë që godiste me shkelm pa mëshirë, edhe pas 6 plumbave, kundërshtarin e tij, shokun e gruas, që ia kishte “ngrënë” paratë që ky i kishte siguruar me djersë. Dhe jo “vetëm një herë,” nëse kjo do të lidhej vetëm me “nderin” e gruas, por për plot katër vjet, dhe kjo sigurisht lidhet me shuma të mëdha parash që fluturuan nga xhepi i oficerit te xhepi i shokut të gruas, inxhinierit.

Natyrisht që tradhtarja nuk ka marrë nga shtëpia paratë e fëmijëve apo të familjes që siguroheshin me mund dhe “djersë” siç dëgjohej në video nga oficeri Goxhara. Dhimbshurinë ndaj fëmijëve nëna e ka më të fortë se çdo instinkt tjetër. Por në dollapët e shtëpisë së çiftit me siguri kanë qarkulluar shumë më tepër para se sa ato që duhen për një jetë normale; të paktën kjo është një pistë që ka dalë nga hetimet.

Ku i gjeti Komisar Goxhara paratë që ia vodhi jarani i gruas?

Kjo është një pyetje që nuk e bën askush, pasi është kthyer në normalitet “të bësh para” në një punë shteti. Ndaj edhe Ahmetaj, nga Zvicra, me maraz përsërit gjithnjë togfjalëshin “pllakat e banjës së Arjolës”. Si mund të kontrollohet brenda shtëpisë së një pushtetari, një oficeri, një administratori të punëve publike?!

Askush nuk komenton se përse të punosh në Rinas je me fat se ka lekë! Si bëhen këto para duke qenë një oficer që kryen detyrën dhe paguhesh si mos më keq me rrogë shteti, të paktën deri para një viti. Si është e mundur që shumica e oficerëve madhorë në Shqipëri kanë bollëk në “banjot” e tyre? Shalët e Griseldës, sado cinike të duket, janë thjesht sebepi.

Oficeri Goxhara u torturua nga ideja se si paratë e mbledhura në sportelet e Rinasit shkuan në xhepat e dikujt tjetër, që nuk rrezikoi fare për t’i bërë ato. Kjo e bënte të godiste me shkelma viktimën e tij, edhe pasi qëndronte shtrirë “i vdekur” se ky kishte guxuar t’ia hante paratë atij dhe gruas!

E njëjta urrejtje u shpraz në fytyrën e blogeres Prenga, kur dy blogeret Berisha e goditën me gota apo shishe kokës në mes të një restoranti të mbushur me influencuese dhe blogere të tjera.

Jetmir Marashi alias Mir Pepa është pinjoll i familjes së njohur Pepa nga Fushë Arrëza.

Mir Pepa një djalosh rreth të tridhjetave është futur në botën e krimit herët edhe për të ruajtur “status quo-në” e kompanisë Pepa Group në treg. Përveç se nga drejtësia Mir Pepa është vënë edhe në shënjestrën e ‘blogereve’, fillimisht të Xhulia Marashit me të cilën u martua dhe i mori mbiemrin e më pas u peshkua nga motrat Berishaj.

Bota e ‘blogereve’ dhe ‘influencueseve’ në Shqipëri, ndryshe nga jashtë, është shumë e ashpër. Vajzat shqiptare nuk zihen me argumenta në “blog” por të vrasin live nëse u cënon “Mirin” dmth paranë.

Në botën perëndimore të Google, blogerët dhe influencer-at janë personazhet më të njohur, të cilët si në aspektin personal ashtu edhe në atë komercial, japin këshilla, opinione, ose ndajnë mendimet ose komentet e tyre mbi ngjarjet aktuale, filma, libra, dhe shumë më tepër. Me ditarët e tyre elektronikë ato shfaqin veten dhe mbi ta turren me admirim ndjekësit.

Edhe në Shqipëri kemi blogere të suksesshme me nga 2 milionë ndjekës.

Imagjinohet se ç’duhet të ndodhte me blogeren “Mevlani” sikur në vend të Sadie Berishës të ishte Antonela Berisha, dhe kjo e fundit t’i kërkonte hesap për grabitjen e burrit me tre kalamaj.

Do të kërciste pushka apo gota për paratë e “ngrëna”?

Lajmet do vlonin për videon ekskluzive, por askush nuk do të pyeste se ku i gjeti paratë që u hëngrën në tradhti e sipër, sepse më rëndësi I jepet çastit final që kërcet krismat dhe dëgjohet blogerja me mijëra ndjekës t’i hakërrehet viktimës pa ndjenja përtokë: “U bëre ti të hash lekt e burrit tim, djersën time, o…”.