Prapaskena

Krim & Korrupsion

Plaurent Dervishajt kërcënoi Alabarin dhe Pirro Vengun për pronat në Durrës. Ja çfarë fshihet pas ‘ekstradimit’ misterioz. Shantazh, korrupsion dhe pastrim parash

Publikuar: 21/08/2024

Sjellja nga Dubai në Shqipëri e Plaurent Dervishajt dhe Juljan Meçes, është shoqëruar me pikëpyetje të mëdha.

Së pari, si u bë i mundur ekstradimi apo deportimi i tyre kur nuk ka marrëveshje mes dy vendeve?

Së dyti, çfarë ndodhi në Dubai që u mor një vendim i tillë?

Së treti, kemi të bëjmë me një situatë që është prodhuar në Dubai apo me një situatë të ndodhur në vendin tonë?

Së katërti, Plaurent Dervishaj dhe Juljan Meçe, erdhën me dëshirë apo u arrestuan në mënyrë demonstrative…?

Një javë më parë, në sekret të plotë, me tranzit nga Turqia, u dorëzuan në tokën shqiptare, dy emra të njohur të botës së krimit në vend. Juljan Meçe dhe Plaurent Dervishaj, të bashkëakuzuar për atentatin në dëm të ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019 në Shkozet të Durrësit.

Ndërsa Dervishaj është i akuzuar edhe për vrasjen e Klodian Saliut e më vonë edhe të Vajdin Lames dhe mikut të tij, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005, por që u zbardhën nga i penduari i drejtësisë, Luftar Reçi.

Por si u bë i mundur ekstradimi apo deportimi i tyre?

Dubai është nga të rrallët vende në botë, që nuk ka marrëveshje ekstradimi me asnjë shtet.

Të vetmet raste ekstradimi, janë bërë o për vepra penale që kanë rrezikuar vendin, ose me ndërhyrje e negociata deri edhe në politike, ose kur të strehuar në të janë persona që kanë hyrë ilegalisht në këtë vend.

Ishte kjo arsyeja pse kriminelët shqiptarë, të shpallur në kërkim nga drejtësia jonë, për vepra të rënda penale, vitet e fundit u zhvendosën atje.

Kundërshtarë me njëri-tjetrin, por jetojnë në të njëjtat ambjente. Në jo pak raste, nuk kanë mundur t’i shpëtojnë hasmërisë e inateve të vjetra, duke prodhuar sherre. Sherre të cilat, hera herës kanë dërguar edhe deri në arrestimin e tyre.

Por në asnjë rast, nuk ka pasur deportim apo ekstradim.

Çfarë ndodhi në Dubai që u mor një vendim i tillë?

Në jo pak media, flitet për një sherr të ndodhur në datë 19 korrik 2024, mes Plaurent Dervishajt dhe një personi tjetër atje, shqiptar. Sherr i cili, me gjasë, ka dërguar deri edhe në marrjen e një vendimi për deportimin e tij.

Shkak, sipas të thënave, nuk është vetëm sherri, por edhe një denoncim i bërë nga personi që ka goditur Dervishajn në këtë përplasje, përgjatë një ndeshje boksi, me qindra spektatorë e dëshmitarë.

REPLIKA bëri një kërkim të thjeshtë, dhe rezulton se nuk ka asnjë denoncim të bërë për sherr të kësaj date.

E nga ana tjetër, nëse do të ishte ky shkaku, cila është lidhja që Juljan Meçe ka me këtë sherr…

Burimet bëjnë me dije se konflikti është mbyllur brenda një harku kohor të shkurtër, duke përfunduar edhe me një sqarim mes Dervishajt dhe personit tjetër me precedentë.

Por çfarë dërgoi në ekstradimin e këtij personazhi dhe anëtarit të grupit të tij?

Plaurent Dervishaj njihet si kokë e një grupi që ka operuar në qytetin e Durrësit. Tashmë i kthyer në një destinacion investues nga Emiratet e Bashkuara, në një zonë strategjike siç është ajo e portit.

Grupi i tij njihet për gjobëvënie e kërcënime.
REPLIKË disponon informacione dhe të dhëna që do të publikohen në një moment të dytë. Por ajo se çfarë mund të thuhet, është se Dervishaj ka konsumuar një vepër tjetër penale.

Mënyra se si është arrestuar, në banesën e tij në katin e 31-të në Dubai, është demonstrative. Që rrallë ndodh në atë shtet. I vetmi rast ka qenë në arrestimin e dy shtetasve turq që ishin strehuar ilegalisht atje.

Prapaskena mëson se Plaurent Dervishaj ka kaluar një vijë të kuqe, e cila ka mundësuar jo vetëm dëbimin e tij nga Dubai, por edhe ekstradimin e tij në mënyrë ekstraligjore.

Po cila është kjo vijë e kuqe?

Prapaskena mëson se Plaurent Dervishaj ka kërcënuar me jetë sheikun arab Mohamed Alabbar, i lakuar në media dhe i denoncuar nga opozita shqiptare për aferën mbi 2 miliardë euro me Portin e Durrësit.

Sipas burimeve, Plaurent Dervishaj posedonte disa sipërfaqe toke në zonën e Portit të Durrësit, mbi të cilën do të shtrihet zbatimi i projekti i Alabarit me kompaninë Eagle Hills për ndërtimin e projektit Durrës Yacht Marina.

Qeveria ka vendosur t’i falë 800 mijë m2 tokë, taksën e ndikimit në infrastrukturë që është 4% e vlerës së investimit që i korrespodon një shume 84 milion euro dhe detyrimin për strehimin social që është 3% e sipërfaqes së ndërtimit.

Sipas burimeve, Plaurent Dervishaj nuk ishte dakord me skemën e shpronësimit të tokës, të cilën besohet se e ka përfituar përmes aktivitetit kriminal.

Dervishaj besohet se ka kërkuar pjesën e tij nga investimi miliarda euro në zonën e Portit të Durrësit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga Alabar dhe oligarkët e Tiranës, të cilët fshihen pas projektit korruptiv.

Në këto rrethana, Dervishaj besohet se ka kërcënuar sheikun sheikun arab Mohamed Alabbar, por edhe personazhe të tjerë përfitues nga investimi.

Sipas burimeve, Dervishaj dhe grupi i tij kanë kërcënuar edhe ish drejtorin e Portit të Durrësit, Pirro Vengu, i emëruar ministër i Mbrojtjes, i cili ka marrë pjesë në kopsitjen e letrave për zbatimin e projektit korruptiv.

Në këto kushte, në lëvizje janë vënë rrethi i oligarkëve, qarqe qeveritare dhe diplomatike, për të goditur Dervishaj, për interesa korruptive në Durrës. Jo rastësisht, ‘ekstradimi’ i Dervishajt u njoftua nga kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, përmes një konference të posaçme për shtyp.

Nëse Plaurent Dervishaj konsiderohet si koka e krimit në Durrës, një personazh me rekorde të zeza kriminale, nga ana tjetër edhe grupi qē do pastrojë paratë duke ndërtuar mbi pronë publike dhe private, duhet të shkojë aty ku është sot Plaurent Dervishaj.

Për SPAK do të mhaftonte fakti që në portin që do të zhvendoset janë investuar dhjetëra milionë euro, po përvetësohen 800 mijë m2 tokë publike, po favorizohen oligarkët me heqje taksash dhe interesa kredie etj.



Më të lexuarat