Arroganca e qeverisë, por edhe e njerëzve të saj, duket se ka arritur majat. Teksa të gjithë shohin Edi Ramën dhe sjelljet e tij, kanë filluar ta imitojnë, duke e menduar veten mbi ligjin. Një ndër ta është Denar Biba, i cili pasi hëngri për disa vite si anëtar i KQZ-së dhe pasi e flakën si kryetar pas disa muajsh emërim, kaloi te Autoriteti i Konkurrencës.
Që pas emërimit të tij në vitin 2021, ky organ e vetmja gjë që ka bërë ka qenë të mbyllë sytë ndaj shkeljeve dhe padrejtësive. Mirëpo kohët e fundit Denarit i ka hipur vetja në qejf dhe ka filluar të bëjë gangsterin.
Pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, ai sfidoi Kuvendin dhe KLSH-në, duke e bërë të qartë se nuk i jep llogari askujt.
“Erdhi KLSH tek ne dhe kërkoi çdo lloj informacioni konfidencial dhe sekret për të kontrolluar mbi vendimmarrjet tona. Në vlerësimin tonë, kjo përbën cenim të pastër të pavarësisë së institucionit,” u shpreh ai para deputetëve.
Ndërkohë, vetëm pak kohë më parë, Denari hodhi një shashkë në Kuvend duke kërkuar më shumë kompetenca. Ai arriti deri aty sa të sfidonte edhe SPAK-un, duke kërkuar akses të bënte përgjime.
“Homologët tanë ju marrin celularët. Ky (celulari) është tradhtari më i madh për çdo lloj gjëje. Nëse do realisht të bësh punë skrupuloze hetimore, kjo është. Edhe ata zotërinjtë e SPAK-ut apo të prokurorisë në Shqipëri shumicën e sukseseve të tyre i kanë pasur nga Sky, nga EncroChat. Ne nuk e kemi këtë mundësi. Polakët e kanë, turqit e kanë, italianët, gjermanët, të gjitha vendet e BE-së i kanë”, tha Denar Biba.
Por duket se Denari ka hall tjetër, pasi organi i tij është kthyer në një institucion qokash. Padyshim afera më e madhe lidhet me One Albania, kompania e cila po masakron qytetarët shqiptarë. Që kur atë e morën hungarezët, shërbimi ndaj qytetarëve ka qenë i tmerrshëm, për të mos folur më pas për vjedhjet që bëhen përmes tarifave.
Në vitin 2024, pas bashkimit të Eagle Mobile me One, kompania ndryshoi serverët dhe pati problem me shërbimin, duke lënë qytetarët për ditë të tëra pa oferta, internet, mesazhe etj. Në atë kohë Denar Biba u pyet në Kuvend mbi këtë situatë. Por në vend që të merrte masa, i doli në mbrojtje kompanisë. Madje u shqetësua për humbjet e saj se i kishin ikur shumë klientë.
“Kompania në fjalë kishte humbur një numër domethënës klientësh për shkak të një problemi teknik. Ndërruan serverët dhe patën probleme. Kur ti humbet treg, humbet para, nuk e di si mund të identifikohet shkelje e ligjit nga Autoriteti i Konkurrencës. Në këtë pikë vlerësuam se nuk ishte e nevojshme për të shkuar në hetim”, tha Biba.
Kompania “One” është denoncuar shpesh herë nga qytetarët qoftë për çmimet e larta, apo edhe për shërbimin celular të dobët. Përpos kësaj, qytetarët kanë denoncuar edhe sjelljen arrogante të punonjësve ndaj klientëve, duke mos i ofruar një shërbim korrekt.
Por kulmi arriti në muajin maj, kur kompania rriti tarifat e shërbimit. Kompania rriti çmimet e shërbimeve me kontratë dhe të ofertave. Por edhe në këtë rast, Denari i Konkurrencës mbylli sytë. Jo vetëm kaq, por i doli në mbrojtje kompanisë dhe akuzoi qytetarët që nuk lexojnë mirë kontratat.
“Në kontratat përkatëse që qytetarët kanë nënshkruar, ndër ta me siguri edhe ne që jemi këtu klientë të One, në kontratën përkatëse që ne kemi firmosur, ju, unë, familjarët tanë që janë klientë të kompanisë One, parashikohet qartësisht, pavarësisht se me ato gërmat e vogla, në 3-4 faqe, që asnjë prej nesh nuk i lexon, mirë ose keq, që kompania ka të drejtën të indeksojë çmimet në rastin e rritjes së presioneve inflacioniste në treg”, tha Denar Biba po në Komisionin e Ekonomisë.
Edhe në vitin 2022 apo edhe në 2025, Konkurrenca ka hapur hetime ndaj kompanive celulare. Por edhe në ato raste sërish nuk janë gjetur shkelje. Pra duket se Denari është në pazar me kompanitë celulare. Për të mos folur më pas për kompanitë e miellit, kompanitë e qumështit, spitalet etj.
Nga ana tjetër, vetë KLSH në një auditim që ka bërë në vitin 2024 ka gjetur shkelje të shumta në Autoritetin e Konkurrencës, por me gjasë këto shkelje janë shtuar dhe prandaj Denari fsheh dosjet. /Pamfleti