SPAK i frikësohet sulmeve kibernetike, 1 miliardë lekë për të mbrojtur arkivën e të dhënave nga hakerat

Aktualitet

Publikuar: 13/08/2024

SPAK i frikësohet sulmeve kibernetike, 1 miliardë lekë për të mbrojtur arkivën e të dhënave nga hakerat

Rritja e sulmeve kibernetike ndaj platformave shtetërore dhe publikimi i të dhënave sensitive në internet, ka detyruar Prokurorinë e Posaçme që të marrë masa. Newsbomb.al mëson se SPAK ka njoftuar një tender me vlerë 1.1 miliardë lek për sisteme mbrojtëse “antiransomware”.

Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi të ndarë në tre lote, e cila synon blerjen e sistemeve të mbrojtjes “antiransomware”, të cilët mbrojnë arkivën e të dhënave të institucionit të akuzës nga sulmet e hakerave që kanë për synim vjedhjen e tyre.

Ransomware është një lloj “malware kriptovirologjik” që bllokon përgjithmonë aksesin në të dhënat personale. Ai lejon hakerat për të kriptuar, fshirë ose shfrytëzuar të dhëna të caktuara, duke i bllokuar viktimës aksesin në to, derisa të paguhet një shpërblim, që zakonisht është një pagesë e sigurt dhe e pagjurmueshme.

Konkretisht, loti i parë bën fjalë për blerjen e një sistemi mbrojtje antiransomware, me vlerë të fondit limit 373 milionë lekë të vjetra.

Ndërkohë, loti i dytë për “Blerje storage, server, switch” parashikon blerjen e serverave për ruajtjen e të dhënave të institucionit me vlerë 648 milionë lekë. Loti i tretë i kësaj procedure prokurimi bën fjalë përditësimin e hapësirës ekzistuese të të dhënave të arkivës me vlerë 87 milionë lekë.

Tenderi është njoftuar sot, më 12 Gusht dhe të gjithë subjektet e interesuara duhet të marrin masa që pavarësisht çdo procedure, shërbimi të kryhet brenda dy muajve nga data e nënshkrimit të marrëveshjes, por jo më vonë se 31 Dhjetori 2024.

Nga 1.1 miliardë lekë të vjetra që është fondi limit për këto tre procedura prokurimi, SPAK sqaron se 962 milionë lekë janë vënë në dispozicion nga fondet e buxhetit të shtetit dhe 146 milionë lekë janë vënë në dispozicion nga granti i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.