Kush është Arjan Ormenaj që pastron paratë e grupit kriminal Çopja, hidrocentrale dhe pallate. A do të veprojë SPAK?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 05/08/2024

Kush është Arjan Ormenaj që pastron paratë e grupit kriminal Çopja, hidrocentrale dhe pallate. A do të veprojë SPAK?

I strehuar në një apartament në Prishtinë, Arben Lamçja alias (Dobrova) nga Elbasani mendoi se ja kishte hedhur ndjekjes së policisë, por një skuadër e kërkimit policor “FAST”, e gjurmoi atë deri në arrestimin e tij, si pjesë e grupit kriminal që drejtohej nga vëllezërit Çopja në Dubai.

Lamçja, akuzohet nga SPAK për veprën penale të “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Por kjo nuk është eksperienca e parë e tij me drejtësinë Shqiptare. Fillimisht emri i tij del në regjistrat e dënimeve të gjykatave Italiane, pasi në muajin Mars 2011, ai është dënuar nga gjykata e Breshias me 12 vite burgim për akuzën e Shfrytëzimit të prostitucionit dhe “Bashkëpunimit kriminal”.

Por ky dënim është rritur dhe me dy vite të tjera nga Gjykata e Apelit të Breshias, duke e dënuar Lamçjan me 14 vite burgim.

Arben Lamçja, është ekstraduar në Itali me qëllim vuajtjen e dënimit, por për shkak të një amnistie, ai ka vuajtur vetëm 3 vite burgim.

Ndërsa një vendim tjetër dënimi i marrë nga gjykata e Bolonjës është mohuar se ekzekutuari nga autoritetet italiane, pas ekstradimit të tij në atë vend.

Fakti i njëjtë, i gjykuar në të dy vendimet, konsistonte në shfrytëzimin si prostitutë të një shtetase të huaj gjatë periudhës nëntor-dhjetor 1999 deri në shkurt 2000.

Më datë 8 nëntor 2011, Sektori Kundër Krimit të Organizuar dhe të Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë Elbasan, ka kryer arrestimin e Arben Lamçja, mbi bazën e urdhër arrestit nr.6559/00 R GIP, datë 26 mars 2011, të lëshuar nga Gjykata e Brescia, Itali.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka regjistruar procedimin pasuror te vitit 2011 ndaj shtetasit Arben Lamcja, duke hetuar për pasuritë e tij dhe te afërmeve te tij, për periudhën 2000-2011 e ne vijim.

Mbi bazën e material të referuara nga policia kriminale, në vitin 2011, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hapur një hetim pasuror dhe ka rezultuar se për Arben Lamçja alias “Dobrova”, janë identifikuar pasuri të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohej se rridhnin nga veprimtaria kriminale e këtij personi, i cili rezulton se është dënuar nga autoritetet Italiane të drejtësisë, për veprën penale të “Bashkëpunimit kriminal” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Paralelisht me Krimet e Rënda që nisi hetim pasuror përmes ligjit “Antimafia”, për këtë rast nisi dhe një hetim prokuroria e Elbasanit për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, duke hetuar për pasuritë e tij dhe të afërmeve te tij, për periudhën 2000-2011 e në vijim.

Në këtë hetim Arben Lamçja është marrë i pandehur për veprën penale të mësipërme, duke bërë që prokuroria të kërkojë gjykimin e çështjes.

Por në 30 Maj 2013 Gjykata e Elbasanit, ka vendosur të pushojë çështjen me pretendimin se nuk ekzistonin elementët e veprës penale që i atribohej Arben Lamçjas.

Nga ana tjetër Krimet e Rënda, vendosën të sekuestronin një seri pasurish në emër të Arben dhe vëllait të tij Sokol Lamçja në Elbasan.

Pasuritë e sekuestruara në 28 korrik 2016 ishin një truall 120 m2 në Tiranë, një truall 340 m2 në Tiranë, një dyqan 46 m2 në Elbasan, një dyqan 97 m2 në Elbasan, si dhe dy bizneset të quajtur “Elba Beton” dhe “Elba Import”.

Sekuestrimi i këtyre pasurive është lënë në fuqi dhe në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Por ky vendim është prishur pjesërisht në 5 prill 2017 në Gjykatën e Lartë, e cila ka vendosur të lirojë pasuritë “Elba Beton” dhe “Elba Import”.

Sipas Gjykatës së Lartë, këto pasuri kanë qenë fillimisht të hapura nga Arben Lamçja dhe më pas përmes kontratave të rregullta ai ja ka shitur kundrejt 170 milion lekëve, një biznesmeni nga Elbasani.

Por disa vite më pas edhe hetimi për pasuritë e tjera tek Krimet e Rënda, është mbyllur duke liruar të gjitha pronat e sekuestruara Arben Lamçjas.

Arjan Ormenaj

Nga verifikimet rezulton se kompanitë ‘Elba Beton” dhe “Elba Import”, të themeluara nga anëtari i grupit kriminal Çopja, Arben Lamçja alias Dobrova, rezultojnë se kanë kaluar në emrin e biznesmenit Arjan Ormenaj.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Arjan Ormenaj, i cili sot është edhe administrator i të dyjave kompanive, dyshohet se mbulonte kompanitë e Arben Lamçes, me të cilat pastroheshin paratë e veprimtarisë kriminale, shfrytëzim prostitucioni, trafik kokaine dhe vrasje me pagesë.

Në njoftimin e SPAK për goditjen e grupit kriminal Çopja, koka e të cilit dyshohet se është Dari i Dubait, theksohet se; “Në lidhje me pastrimin e parave, nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës, rezulton se kjo organizatë kriminale  ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit“.

Kompanitë ‘Elba Beton” dhe “Elba Import”, sot në emrin e Arjan Ormenaj rezulton se kanë qarkulluar dhjetëra miliona euro, para të dyshuara se janë injektuara në këto kompani nga aktiviteti kriminal.

Arjan Ormenaj menaxhon një katrel kompanish me veprimtari të dyshimtë, ndërsa posedon në emrin e tij restorante, lokale, apartamente dhe biznese dhjetëra milionë euro nga Elbasani në Tiranë.

Nuk dihet nëse edhe pas kompanive të tjera në emrin e Arjan Ormenaj qëndron grupi kriminal Çopja.

Arjan Ormenaj ka hyrë në transaksione dhe i ka blerë aksione edhe Bekim Halilaj, një personazh i njohur i aferave korruptive të Ilir Metës.

Arjan Ormenaj ka përfituar edhe koncesione për hidrocentrale, ndërsa po ndërton në Qerret të Kavajës me disa kompani në emrin e tij.

Arjan Ormenaj nuk është biznesmeni i vetëm i cili dyshohet se mbulon pasuritë dhe bizneset e grupit kriminal Çopja.

Grupi kriminal për vite me radhë ka arritur të rekrutojë gjyqtarë, policë, prokurorë etj., duke blerë drejtësinë dhe duke i shpëtuar veprimit të ligjit. Ish gjyqtarja Pajtime Fetahu ështy një nga ushtaret e grupit Çopja.