Çeta e Dibrës dhe Matit ‘pushton’ SPAK, emërohen edhe dy prokurorë të rinj Anita Jella e Bledar Maksuti nga Shupenza e Maqellara

Kryesore

Publikuar: 31/07/2024

Çeta e Dibrës dhe Matit ‘pushton’ SPAK, emërohen edhe dy prokurorë të rinj Anita Jella e Bledar Maksuti nga Shupenza e Maqellara

Anita Jella dhe Bledar Maksuti do të jenë dy prokurorët e rinj që do t’i shtohen organikës së SPAK. Të tetë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që ishin të pranishëm në mbledhjen e sotme, votuan pro emërimit të Jellës dhe Maksutit.

Dy prokurorët e rinj do të ushtrojnë detyrën për një mandat 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi.

Me këtë dy emërime, Çeta e Dibrës, duke përfshirë edhe Matin, ‘pushton’ SPAK-un, i konsideruar si misioni amerikan në Shqipëri, për të shembur kështjellën e pandëshkueshmërisë, por që ka një kritikë se në disa raste e ka ulur shpatën duke goditur gazetarë për nxjerrje sekretesh, zyrtarë për disa fatura lokalesh, kanal, mur, arkë pesh apo kec, duke hezituar të godasë monumentet e krimit dhe korrupsionit që janë Sali Berisha me të birin, Ilir Meta me të shoqen, Ridvan Boden, Genc Rulin dhe një rreth oligarkësh që kanë shqyer Shqipërinë, duke marrë secili nga një copë me vendime të Sali Berishës, Ilir Metës dhe 10 vitet e fundit me dorën e Edi Ramës.

Kreu i SPAK-ut Altin Dumani është nga Zogjaj, një nga fshatrat e Grykës së Vogël, në perendim të Dibrës, aty ku në 2 qershor të vitit 1942 është krijuar edhe çeta e parë partizane.

Bledar Maksuti që u emërua sot në SPAK është nga Maqellara e Dibrës. Maksuti u shkarkua padrejtësisht nga KPK, vendim i cili u rrëzua nga KPA.

Anita Jella, e cila u emërua sot prokurore në SPAK është nga Shupenza e Dibrës.

Dritan Prençi, prokuror në SPAK është nga Reçi i Dibrës. Emri i fshatit Reç është përmendur për herë të parë në regjistrat kadastral turk në shekullin e XIII.

Vladimir Mara, prokuror në SPAK sektorin e luftës kundër krimit është nga Mati, pjesë e Qarkut Dibër.

Manjola Kajana, pjesë e SPAK është nga Burreli, pjesë e Rrethit të Matit. Mbiemri i saj i vajzërisë është Hysa.

Elida Kaçkini, prokurore në SPAK, është gjithashtu nga Mati. Mbiemri i saj i vajzërisë është Celami.

Adnan Xholi, prokuror në SPAK, është nga Maqellara e Dibrës, Kërçishti i Poshtëm, një fshat, i cili ka pasur reth 500 banorë.

Përzgjedhja e Jellës dhe Maksutit vjen pas verifikimit që Komision i Posaçëm për verifikimin e figurës ka bërë dhe ka dorëzuar në raportin final pranë KLP.

Ky komision që përbëhet nga 2 prokurorë të SPAK, një gjyqtar i GJKKO, një punonjës financiar i SPAK dhe një agjent i BKH ka vlerësuar se Jella dhe Maksuti i plotësojnë kushtet për të ushtruar detyrën si prokuror pranë SPAK.

Sa i përket Anita Jellës, ajo ishte e para në renditje si kandidatja me më shumë pikë. Jella që prej 9 majit të vitit 2018 ishte caktuar drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.

Ndërkohë, Bledar Maksuti ishte renditur i katërti nga KLP kur u hap gara për 3 vendet vakante në SPAK.