Lindita Nikolla në mbyllje të seancës plenare ka njoftuar se do të largohet si kryetare e parlamentit për shkak të një situate shëndetësore.
“Të dashur kolegë të mazhorancës parlamentare dhe të respektuar kolegë të opozitës parlamentare! Këtu mbyllet shërbimi im 3-vjeçar në krye të vendit si rezultat i një situate personale shëndetësore që ma bën të pamundur të kryej detyrën. Jam përpjekur të jap më të mirën çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së Parlamentit pa i hyrë kujt në hak në këtë sallë.
Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër, ju siguroj s’e kam pasur qëllim. Fatmirësisht kur kam marrë edhe sulme verbale, më mbetet ndjesia e mirë e respektit që më keni dhënë.
Ju falënderoj të gjithëve, falënderoj administratën, punonjësit e shërbimit dhe ju uroj të gjithëve të keni angazhim dhe shëndet të plotë për të vijuar. Largimi im është i padëshiruar, por i nevojshëm”, tha Nikolla.