Rishfaqet Tigri nga arratia, tjetër rrëfim për Tv Zenin, do flasë për ish shokët në qeveri dhe oligarki

Kryesore

Publikuar: 24/07/2024

Rishfaqet Tigri nga arratia, tjetër rrëfim për Tv Zenin, do flasë për ish shokët në qeveri dhe oligarki

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i vetëquajtur Tigri, do të flasë sërish nga arratia për TV Zenin, duke akuzuar ish shokët në qeveri dhe oligarki.

Gazetari Çim Peka ka publikuar disa foto në rrjetet sociale ku shfaqet me Ahmetajn, duke paralajmëruar kështu një intervistë të re me ish-numrin 2 të Qeverisë Rama.

“Premtimi i mbajtur, po vjen” – shkruan Çim Peka krahas fotove me Arben Ahmetajn, ku shfaqen duke realizuar intervistën, me sa duket në hollin e një kazinoje në Lugano.

Arben Ahmetaj dha një intervistë televizive dhe rreth 5 muaj më parë ku hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të Qeverisë së tij, si ndaj Erion Veliajt po ashtu edhe ndaj Belinda Ballukut.

Ndërkohë, Ahmetaj u prononcua përmes një kamer të fshehtë edhe për emision “Report” të televizionit shtetër italian RAI, ku foli rreth lidhjeve të kryeministrit Edi Rama me krimin e organizuar.

Ahmetaj është shpallur në kërkim nga SPAK për akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjen e pasurisë. Po ashtu, ai është nën hetim edhe për dosjen “Buka”.

Arben Ahmetaj është arratisur në Zvicër prej më shumë se një viti, teksa autoritetet shqiptare po punojnë për t’a ekstraduar.