Pal Trashaj është viktima e parë në vend si pasojë e mashtrimit me mikrokredinë. Në gjendje të rënduar psikologjike i ndjeri Pal Trashaj ditën e djeshme shkoi para dyerve të SPAK dhe kërkonte një zgjidhje për hallin e madh që e kishte zënë.
Ai shkoi para Prokurorisë së Posaçme dhe kërkoi një takim me një hetues të BKH-së, me shpresën se do të gjendje në zgjidhje për padrejtësinë që i ishte bërë.
Pasi priti disa orë dhe nuk mori një përgjigje Pal Trashaj mori vendimin ekstrem për të konsumuar fostoksinë dhe për t’i dhënë fund jetës.
Pal Trashaj po haste probleme të mëdha me një kredi të mbetur që nga viti 2008, vetëm 760 mijë lekë të vjetra që Micro Credit Albania ia kishte çuar 4.8 milion lekë.
Kredia e kishte blerë Micro Credit Albania dhe i kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte.
Pal Trashaj nuk dinte si të vepronte me këtë skemë mashtrimi që po i grabiste atij gjithçka, dhe në pamundësi për të gjetur një zgjidhje, ai shpresonte se me publikimin e rastit të media, dikush do ta ndihmonte. Madje në daljet e tij në media kishte kërcënuar se nëse nuk gjente një zgjidhje problemi i tij do të vetëvritej, dhe ashtu bëri. Pasi Trashaj pa se problemi i tij nuk po gjente një zgjidhje dhe mashtrimi me mikrokredinë po vazhdonte ta zhvaste, vendosi që ditën e djeshme të ndërmerrte aktin ekstrem.
Trashaj më herët Kryetar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore teksa kërkonte drejtësi shprehej se ishte i gatshëm të bënte burg, nëse rezultonte se denoncimet që kishte bërë për mikrokredinë nuk rezultonin të vërteta.
Kujtojmë që prej disa kohësh tashmë newsbomb.al ka trajtuar skemën e mashtrimit që ngritën disa zyrtarë ku zhvatnin qytetarët shqiptarë.
Në maj të këtij viti u “zbërthye” skema e mirëfilltë mashtrimi përmes mikrokredive që çoi në pranga 8 persona, për disa u dha masa arrest me burg, e për të tjerë masa arrest shtëpie. Ndërkohë një tjetër u shpall në kërkim.
Masa “arrest në burg” u dha për Aldo Dakën, Albert Gegën, Edomnd Maton, Arben Meskutin, si dhe Alban Kote i shpallur në kërkim.
Ndërsa, për Kejda Seferin, Elda Ibron, Alketa Tanushin dhe Jordisa Dervishin u dha masa “arrest në shtëpi”.
Të gjithë akuzohen për mashtrimin e qytetarëve bazuar në një skemë mashtrimi, pothuajse e ngjashme me ato piramidale, ndërsa vlera llogaritet në 7 mln euro.
Subjektet mashtruese në këtë veprimtari , sipas dosjes së Prokurorisë, janë: Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS dhe FLASH. Ndërkohë që personat ndaj të cilëve janë caktuar masat e sigurisë arrest me burg janë: Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Arben Meskuti.
Një pjesë e bankave që shisnin një sasi të kredive me probleme te kompanitë e mbledhjes së borxheve, një ndër to dhe Micro Credit Albania, nuk u interesua asnjëherë për fatin e kreditorëve.
Ajo që nisi fillimisht si një biznes i drejtë për të mbledhur detyrimin që disa individë kishin pranë bankave të nivelit të dytë, nisi dalëngadalë të kthehej në një skemë grabitqare dhe me synimin për tu pasuruar në kurriz të të pamundurve. Kompanitë e mbledhjes së borxhit blenë për 8 deri në 10% të vlerës një total prej rreth 100 mijë kontratash kredish të këqija, dhe aty ku u gjetën debitorë, nuk u kursyen t’i vendosin detyrime të larta përtej vlerave që lejon ligji.
Micro Credit Albania ka vijuar biznesin duke i vendosur qindra debitorëve një penalitet 30% mbi vlerën e detyrimit bashkë me interesin dhe jo të principalit, siç sanksionon rregullorja e Bankës së Shqipërisë. Për të gjetur shpëtim, kreditorët e këqinj janë udhëzuar nga zyrat e përmbarimit të kontraktuara nga MCA që të lidhin një aktmarrëveshje për shlyerjen e borxhit bashkë me penalitete.
Debitorët kur janë përballur me bllokimin e pagave, makinave dhe të gjithë të ardhurave që kishin janë detyruar të pranojnë marrëveshjen, por kanë pyetur se ku mund të marrin paratë. Përmbaruesi i ka rekomanduar lidhjen e një kontrate huaje, dhe paratë do të shkonin më pas në llogarinë e MCA. Njëherë kredi bashkë me interesin e saj nga një kreditor i keq, dhe sërish kredi për një kreditor të keq, kjo e dyta me interes më vete.
Kredia nuk lëshohej nga banka, por personi që lidhte marrëveshjen shoqërohej në sportel nga një punonjës i MCA i cili lëshonte një çek që thyhej nga sportelisti i bankës. Ministria e Drejtësisë ka identifikuar raste ku kreditorët e këqinj janë detyruar të lidhin deri në 3 herë kontrata të reja kredie, të cilat kapin vlerë deri në 2, 3 apo 4 herë më të lartë se detyrimi fillestar, por paratë nuk janë prekur asnjëherë me dorë nga kreditori me përjashtim të kredisë së parë, të gjitha janë arkëtuar nga MCA.
Bllokimi i llogarive me vlerë 10 milionë euro
Prokuroria e Tiranës sekuestroi llogari bankare në vlerë 10 milion euro të administratorëve që u përfshinë në skemën e mashtrimit të kredive. Paratë i përkisnin 10 personave dhe tre subjekteve, ‘MCA”, “ADCA” dhe ‘Final’ shpk.
Sipas prokurorëve, një masë e tillë ka qenë e nevojshme pasi “ekziston rreziku që vlerat monetare në llogaritë e tyre, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen”.
Në njoftim, shpjegohej se personat dhe kompanitë ”kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme. Për to, ka dyshime se gjatë ushtrimit të aktivitetit, kanë blerë kredi të këqija në banka, dhe kanë detyruar qytetarët të marrin kredi të reja për të shlyer të parat, duke u bllokuar këtyre të fundit pasuritë dhe pagat, në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara”.
Pas këtij skandali Banka i Shqipërisë njoftoi se i kishte revokuar menjëherë licencat e shoqërisë Micro Credit Albania dhe Final./ Newsbomb