Në 14 korrik 2023, Kuvendi i Shqipërisë votoi pro kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt si koka e inceneratorëve.
Më herët, me 11 korrik 2023, prokurorët e SPAK, së bashku me kreun e këtij institucioni, Altin Dumani, parashtruan në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, argumentet dhe provat në mbështetje të kërkesës për arrestimin e Ahmetajt, i cili ishte arratisur përmes pikës kufitare me Greqinë, Kakavijë.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve është mbajtur me dyer të mbyllura.
Në këtë mbledhje, Altin Dumani ka deklaruar se nga të gjithë zyrtarët që kanë marrë pjesë në procedurat për inceneratorët, vetëm Shkëlqim Cani, ish ministër i Financave, ka mbrojtur interesin publik dhe nuk është implikuar.
Qëndrimi i Altin Dumanit në mbledhjen me dyer të mbyllura, duke identifikuar Shkëlqim Canin si një ish pushtetar i pakorruptuar, është bërë me dije nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, në seancën parlamentare të 14 korrikut 2023, ku PD-ja paraqiti raportin e saj në mbështetje të kërkesës të SPAK për arrestimin e Ahmetajt.
Në fjalën e tij, Bardhi thekson se Dumani ka konstatuar se Shkëlqim Cani ishte i vetmi që ka bërë rezistencë, duke kundërshtuar biznesin e Arben Ahmetajt me inceneratorët.
Shkëlqim Cani kundërshtoi edhe projektin e Arben Ahmetajt për koncensionin e TVSH.
Në 16 shkurt 2016, Edi Rama shkarkon nga detyra e ministrit të Financave, Shkëlqim Canin dhe në vend të tij cakton pikërisht Arben Ahmetajn, i cili i ‘frynte në vesh’ Ramës dhe rrihte gjoksin për çdo projekt të dyshimtë dhe kundër interesit publik.
Me një njoftim të shkurtër dhe pa asnjë shpjegim, Këshilli i Ministrave njoftoi se kryeministri Edi Rama ka “informuar ministrin Cani për zëvendësimin e tij me një koleg tjetër”.
Kështu Ahmetaj mori në dorë dhe i hapi rrugë biznesit të inceneratorëve, siç edhe është konfirmuar në dosjen e SPAK.
Nuk mjaftoi me kaq. Ahmetaj i mbushi mendjen Ramës që t’i jepte edhe ministrinë e Ekonomisë, me qëllim për të kontrolluar procesin e privatizimit të pasurive publike, siç bëri me dosjen ‘Buka’.
Në vijim Edi Rama i besoi Ahmetajt edhe fondet e Rindërtimit, madje e bëri ministër të Rindërtimit, ku Tigri kanalizoi paratë te klientët e tij.
Jo vetëm kaq. Edi Rama i besoi Ahmetajt edhe fondet e pandemisë, ku Tigri kanalizoi fondet në xhepat e klientit të tij me saraje në Londër.
SPAK ka hapur pjesërisht dosjen e privatizimeve, ndërsa nuk po heton aferat me rindërtimin dhe paratë e pandemisë.
Sot Arben Ahmetaj akuzon nga arratia Edi Ramën si kokën e korrupsionit si dhe për komplot ndaj tij, në bashkëpunim me Altin Dumanin.