Në ditëvdekjen e Ismail Kadare, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ndan foton e rrallë dhe përcjell ngushëllimet!

Kulturë

Publikuar: 01/07/2024

Në ditëvdekjen e Ismail Kadare, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ndan foton e rrallë dhe përcjell ngushëllimet!

“Të prekur për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare. 
Kadare ishte mik i artit, i fjalës, i letrave, i operës. Nga ata artistë që veçse vdekja nuk i shuan. Kadare nuk ishte vetëm një shkrimtar, por një epokë, një qytetërim i tërë që i tregoi botës letërsinë bashkëkohore shqipe duke e përkthyer atë në mbi 45 gjuhë të tjera.
I nominuar disa herë për çmimin Nobel në letërsi, për qindra libra dhe dorëshkrime që i bëri dhuratë botës, Kadare shkroi gjithashtu edhe libretin për dy vepra të rëndësishme të repertorit shqiptar në TKOB.
Baleti “Tokë e pamposhtur” në vitin 1977, i cili në vitin 2009 u rivendos me të njëjtin titull të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe baleti i dytë “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” në vitin 1986, e cila u rivendos sërish në skenën e TKOB-së në maj të vitit 2024. Këto dy vepra erdhën si bashkëpunim me kolosët e muzikës Nikolla Zoraqi dhe Feim Ibrahimi, nën koreografinë e mjeshtrit koreograf Agron Aliaj.
Pusho me ëngjëjt, Kadare!
Ngushëllime të përzemërta familjes dhe gjithë letërsisë shqipe.” – shkruhet në postimin e rrjeteve sociale të TKOB. A.K./TemA