Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme mesditën e sotme.
Pas dy orë e gjysmë ka dalë dhe është shprehur: “Me vjen keq qe keni qendruar kaq gjatë! S’kam asgjë për të thënë! Mirupafshim!”
Saimir Tahiri është thirrur për të dhënë sqarime si person ndaj të cilit kryhen hetime rreth pasurisë por jo vetëm. Ish ministri i Brendshëm hyri në SPAK i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia në orën 13:00 dhe qëndroi rreth 2 orë e gjysmë. Burime i thanë se Tahiri është thirrur për të dhënë sqarime si person ndaj të cilit kryhen hetime rreth pasurisë por jo vetëm. Sipas burimeve më herët në kuadër të ketij hetimi SPAK, ka pyetur edhe disa biznesmenë me të cilet familjarët e ish ministrit Tahiri kanë patur transaksione financiare.
Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj prej muajsh heton Tahirin mbi pasurinë dhe burimin e krijimit të tyre, pas denoncime që kanë mbërritur në SPAK në lidhje me disa prona që janë blerë nga familjarët e tij. Procedimi në fjalë është regjistruar disa muaj më parë teksa hetuesit kanë nisur verifikimet duke vënë në sitë të gjitha pasuritë e luajtshme, të paluajtshme dhe llogaritë bankare të Tahirit dhe familjarëve të tij.
Prokuroria ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë, institucione e agjenci të pronave për të verifikuar pronat e llogaritë bankare të ish-ministrit të Brendshëm, dhe transaksionet që ai ka kryer që prej kohës kur ai mbante detyrën dhe deri më sot. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi informon se në kuadër të kësaj dosje hetimet janë zgjeruar edhe tek bashkëshortja e tij dhe tek kunati, vëllai i bashkëshortes, për të verifikuar burimin e të ardhurave dhe të pasurive në emër të tyre. /Shqiptarja