Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi në dalje të SPAK u përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse ka kryer ndërhyrje estetike. Kryemadhi tha se ka bërë vetëm botoks si gjithë gratë e burrat.
“Lobimi, hetimi pasuror dhe operacionet plastike që flasin në TV janë në një çështje.
Kam bërë botoks si të gjithë gratë e burrat. Nuk kam bërë ndërhyrje estetike meqë e keni me dëshirë të madhe. Çdo grua që mirëmbahet nuk është ndërhyrje estetike. Pastaj nga ana tjetër, gjërat e tjera janë të faktuara. Le ta mbajnë celularin. Ka vetëm gjëra të bukura në celularin tim. U pyeta për të gjitha nga fillimi në fund. Patjetër që botoks kam bërë si gjithë gratë dhe gjithë burrat. Fëmijët e mi nuk janë marrë në pyetje”, tha Kryemadhi.
Dy vite më parë, Kryemadhi deklaronte se “Akuzohem për bukurinë që më ka dhënë nëna ime. Jam shumë e indinjuar që akoma nuk kam bërë asnjë operacion plastik, për këtë më vjen keq.Jam akoma shumë e re, dua edhe njëçik kohë. Nuk kam abuzuar as me drogë as me alkoolin“.
E thirrur nga prokurori Sotir Kllapi në orën 10 të paradites, Kryemadhi doli që aty në 15, ndërsa për mediat tha se paditë për shpenzime të padeklaruara në ndërhyrje estetike dhe ajo për lobimin në SHBA janë bashkuar në një hetim. Për të dyja dosjet fajëson kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
“Isha për tu përgjigjur rreth padisë së rremë që ka bërë Veliaj me suflerët, shërbëtorët e tij. Iu përgjigja të gjitha pyetjeve dhe në bazë të të dhënave të mia dhe ato që ka mbledhur SPAK ballafaquam gjërat që kanë të bëjnë për akuzat që kanë ngritur. Besoj që e ezauruam aspektin e pyetjeve dhe të përgjigjeve, e firmosa me vetëdije të plotë duke marrë përgjegjësitë e mia si qytetare, deputete, bashkëshorte, nënë”, tha Kryemadhi.
E pyetur nëse i është kthyer celulari i sekuestruar, Kryemadhi tha “le ta mbajnë se ka gjëra të bukura”, duke nënkuptuar se ende nuk e ka marrë.