Aferat në dogana / Nëndrejtori Gysi i drogës thirret në Prokurori për makina kontrabandë, skemë korrupsioni me kunatin e tij, pastrim parash me autovetura nga Gjermania

Investigim

Publikuar: 11/06/2024

Aferat në dogana / Nëndrejtori Gysi i drogës thirret në Prokurori për makina kontrabandë, skemë korrupsioni me kunatin e tij, pastrim parash me autovetura nga Gjermania

Prapaskena ka raportuar prej muajsh për shpartallimin e doganave dhe vendosjen në krye të personazheve me të kaluar dhe lidhje kriminale.

Prokuroria e Durrësit po heton një skemë korrupsioni me zhdoganimin e makinave, me protagonistë nëndrejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Ergys Hoxha, i njohur si ‘Gysi i drogës’, kunatin e tij doganier Endrit Pëllumbi si dhe Drejtorin e Hetimit Doganor, Artur Sejati, një ‘ujk i vjetër’ i trarëve të doganave, i arrestuar në Greqi për kontrabandë.

Dosja është në duart e prokurorit Pali Deçolli, i cili po heton për disa vepra penale si kontrabandë me mallra të tjerë (neni 174/1 i Kodit Penal), falsifikim i dokumenteve (neni 186/1 i Kodit Penal) si dhe për fshehje të të ardhurave (neni 180 i Kodit Penal).

Pali Deçolli, i cili njihet si një prokuror me integritet dhe që ka kaluar pa asnjë problem Vetingun, e ka thirrur Ergys Hoxhën për t’a marrë në pyetje në 31 maji 2024.

Referuar fakteve dhe lidhjeve, kjo dosje duhet të referohet për kompetencë në SPAK pasi kemi elemente të skemës së korrupsionit, të fshehjes së pasurisë, pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal në dogana.

Më konkretisht, nëndrejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Ergys Hoxha, i ka zhdoganuar dy makina në Doganën e Durrësit, duke i deklaruar më lirë se sa i ka blerë në Gjermani, me qëllim uljen e detyrimit doganor, por edhe fshehjen e pasurisë për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme të parave për justifikimin e vlerës së makinave.

Në datën 21/09/2020, me deklaratën doganore nr. R83210, Ergys Hoxha ka zhdoganuar autoveturën e markës Range Rover Sport 4.367 cc, vit prodhimi 2017.

Vlera e deklaruar në zhdoganim është 27 mijë euro.

Por, vlera sipas deklaratës doganore gjermane të eksportit me nr. MRN20DE535534527481E6, vlera e makinës është 47 mijë euro.

Në datë 04/12/2018, me deklaratën doganore nr. R128162, Ergys Hoxha ka zhdoganuar autoveturën e markës Audi A5 1.968 cc, vit prodhimi 2016.

Vlera e deklaruar në zhdoganim është 21.400 Euro.

Vlera sipas deklaratës doganore gjermane të eksportit me nr. MRN18DE535596330543E9, datë 03/12/2018, vlera e makinës është 33.400 Euro.

Në të dyja rastet, doganieri që ka bërë vlerësimin doganor të makinave është pikërisht Endrit Pëllumbi, kunati i Ergys Hoxhës.

Dy rastet janë thjeshtë një ilustrim dhe maja e ajsbergur të batërdisë në dogana, krerët e të cilave posedojnë vila dhe hotele, makina luksoze, lëvizin çantat me para dhe ngrenë traun edhe për ngarkesat e kokainës. Vijon me raste të tjera…