Nexhmedin Danaj dhe Algerta Fejzulla janë çifti vlonjat protagonist i një grupi kriminal në Spanjë, i cili ka qarkulluar të paktën 65 milionë euro, produkt i trafikut të kokainës.
Çifti tashmë është automatikisht objekt i veprimit të ligjit anti-mafia, që do të thotë që SPAK duhet të nisë hetim pasuror dhe të veprojë me shpejtësi për sekuestrimin e pasurive, të cilat nuk justifikohen me burime të ligjshme.
Grupi kriminal me 27 anëtarë u godit nga policia spanjolle dhe Europol në shtator të vitit të kaluar.
Autoritetet spanjolle njoftuan se kishin arrestuar 27 persona, në disa provinca si Madrit, Malaga, Seville, Valencia dhe Barcelonë, pjesë e grupit, i cili kishte pastruar të paktën 65 milionë euro me metodën “Hawala”.
(Hawala është një metodë joformale e transferimit të parave pa lëvizur në të vërtetë para fizike. Ai përshkruhet si një “transferim parash pa lëvizje parash”. Hawala përdoret sot si një kanal alternativ kryesisht i remitancave që ekzistojnë jashtë sistemeve tradicionale bankare. Transaksionet ndërmjet ndërmjetësve Hawala kryhen pa firmosur diku sepse sistemi bazohet vetëm te besimi reciprok).
Hetimet dhe operacioni zbuloi se grupi i transferimit dhe pastrimit të parave drejtohej nga shqiptarë.
Mes drejtuesve shqiptarë në skenë doli edhe Algerta Fejzulla, në transferimin e parave të kokinës.
Në listën e personave të arrestuar nga autoritetet spanjolle është edhe Nexhmedin Danaj nga Vlora, bashkëshorti i Algerta Fejzulla.
Nexhmedin Danaj dyshohet se ka rolin kryesor në grupin kriminal. (Në vijim do të flasim për lidhjet e tij me grupet kriminale që po godet SPAK bazuar në zbërthimin e aplikacionit Sky).
Nexhmedin Danaj, i cili dyshohet se lëviz paratë e trafikut të kokainës edhe në Dubai, përmes kompanisë General Trading LLC, me seli në Dubai, është vëllai i Sadrit Danaj, ish kryetar i Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj, i akuzuar nga PD-ja si një person të inkriminuar, i arrestuar për rrëmbimin e vajzës së një biznesmeni në Sicili në vitin 2000.
Kush është avokatja Algerta Fejzulla e dënuar për korrupsion
Emri i zonjës Algerta Fejzulla u lakua për herë të parë në media në shkurt të vitit 2014, ku Fejzulla u arrestua në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Vlorës për korrupsion.
Algerta Fejzulla, nëpërmjet një avokateje në Vlorë, Dhurata Sulaj (Tafili), i mori 50 mijë lekë të reja një qytetari, me qëllim që të shtynte në kohë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
Algerta Fejzulla u arrestua në cilësinë e drejtoreshës së Zyrës Përmbarimore të Vlorës. Ajo ishte emërua në këtë post në vitin 2013 pas ardhjes së PS-së në pushtet.
Në vend që të reflektonte, Algerta Fejzulla në bashkëpunim me bashkëshortin Nexhmedin Danaj, do t’i hynte një rruge pasurimi të frikshëm dhe të paligjshëm, siç edhe e konfirmojnë disa evidenca dhe operacioni i Europol në Spanjë.
Dubai im, maskë pastrimi parash?
Në maj të vitit 2015, Algerta Fejzulla u regjistrua si avokate në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me adresë Rruga Sulejman Delvina, Vlorë. Pas disa muajsh vendosi t’a pezullojë aktivitetin si avokate.

Në mars të vitin 2023, Algerta Fejzulla themelon kompaninë “Dubai im”, me adresë në Lungomare të Vlorës, me objekt; agjenci turistike, në fushën e turizmit, hoteleri, restorante, bar-kafe, import-eksport, transport për llogari të vetë dhe për të tretë, shërbime taksi, dhënie e marrje e mjeteve të transport me qera etj.

Nuk ka të dhëna për aktivitetin e kësaj kompanie, por nisur nga operacioni i Europol krijohen dyshime se ‘Dubai im’ mund të jetë përdorur për lëvizjen e parave të pista.
Ndërkaq, emri i kompanisë ‘Dubai im’, duket se nuk është rastësi.
Bashkëshorti i saj, Nexhmendim Danaj, rezulton pronar i kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kjo kompani në Dubai ka qarkulluar miliona euro.
Nexhmendin Danaj është ortak me 30 përqind në televizionin kabllor “Vlora”, bashkë me vëllain tjetër Vexhi Danaj.

Hetimet dhe skema
Hetimi filloi si rezultat i raporteve të inteligjencës kriminale të dërguara nga Europol, falë të cilave u bë e mundur identifikimi i një organizate të përbërë nga shtetas me origjinë shqiptare, të dedikuar për trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht mbjelljen e kulturave marijuanë në ambiente të mbyllura, dhe që së bashku me qytetarë me origjinë kineze, kishin formuar një strukturë komplekse në të cilën të dy grupet përfitonin avantazhe të ndërsjella dhe përfitime që rrjedhin nga aktivitetet kriminale me të cilat ata ishin përfshirë.
Gjatë hetimit, agjentët mundën të verifikonin sesi në këtë strukturë shtetasit kinezë u dërgonin bizneseve të tyre shuma të mëdha parash, në këmbim që kjo shumë të kompensohej diku tjetër, me qëllimin përfundimtar që ato para të mbërrinin në vendin e origjinës pa qenë subjekt i kontrollit përkatës ligjor ose formal në Spanjë.
Nga ana tjetër, “havaladarët” shqiptarë, duke funksionuar si një subjekt bankar, kryenin “transferimin” dhe fshehjen e shumave të mëdha të parave nga shitja e drogës dhe merrnin rifinancimin e operacioneve të reja.
Hetuesit kanë mundur të zbulojnë se në krye të strukturës kriminale ndodheshin dy shtetas shqiptarë, njëri që vepronte si drejtues dhe tjetri si toger dhe kontabilist.
Të paktën që nga viti 2018, ata kishin dy koordinatorë me origjinë kineze, të cilët dyshohet se menaxhonin një “portofol” të madh me institucione të shumta aziatike të shtrira në të gjithë territorin kombëtar, me të cilat shërbenin kërkesat në para të organizatave kriminale të dedikuara për trafikun e drogës kurdo dhe kudo kishin nevojë.
Bizneset vepruan në të njëjtën mënyrë pavarësisht vendndodhjes së tyre, duke grumbulluar shuma të mëdha parash që u dërgoheshin trafikantëve të drogës në këmbim të kompensimit financiar, duke përdorur si masë sigurie një TOKEN, që zakonisht përkonte me numërimin e dyqane, një faturë me vlerë të ulët nominale.
Gjatë periudhës së hetuar midis majit 2020 dhe marsit 2021, dërgesa të vazhdueshme dhe të shumta cash u janë bërë organizatave kriminale shqiptare, në një vlerë totale prej gati 65.5 milionë euro, në provincat e Barcelonës, Malaga, Valencia, Madrid, Sevilje dhe Alicante.
Brenda kuadrit të hetimit, ata arritën të zbulonin se disa nga të arrestuarit vizituan një institucion “groëshop” dhe se më pas ata kryen vizita kontrolli në një shtëpi të vetme në një komunë të Madridit, në të cilën u arrestuan tre persona dhe u sekuestruan pothuajse 65 kilogramë drogë.
Nga ana tjetër, kreu i organizatës, me origjinë shqiptare, u arrestua si përgjegjës për veprën penale të pengmarrjes, plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje, pasi kishte rrëmbyer një nga “havaladerët”.
Pasi hetuesit gjetën anëtarët e organizatës kriminale, u zhvillua një operacion që coi në arrestimin e 27 personave në provincat e Alicante (1), Barcelona (6), Madrid (7), Málaga (7), Seville (2) dhe Valencia (1). Gjatë kontrollit u sekuestruan 615 mijë euro cash, dhjetë ora luksoze me vlerë mbi 400 mijë euro, dy automjete të nivelit të lartë, makineri numërimi parash, pajisje kompjuterike dhe celularë të koduar.
Mesazhi i SPAK-ut
Në një raport të publikuar disa javë më parë për aktivitetin, natyrën dhe tendencat e krimit të organizuar, SPAK evidenton rolin në rritje të vajzave në botën e krimit.
“Shihet një tendencë në rritjen e angazhimit të femrave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Disa nga rolet më tipike të evidentuara në organizatat kriminale, të cilat merren me trafikun e narkotikëve, janë ato në administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave. Kryesisht femrat të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminale”, thuhej në raport. Vijon…