I skeduar për trafik droge, si e ka kapur Nazif Bajrami Bashkinë Elbasan, kush është ortaku i tij ‘pitoni i tenderave’ Eral Myftaraj

Investigim

Publikuar: 28/05/2024

I skeduar për trafik droge, si e ka kapur Nazif Bajrami Bashkinë Elbasan, kush është ortaku i tij ‘pitoni i tenderave’ Eral Myftaraj

Një rreth figurash të krimit të organizuar, trafikut të kokainës dhe korrupsionit kanë ndarë dhe po ndajnë tenderat e Bashkisë Elbasan, në të cilën disa ditë më parë zbarkoi një skuadër e Byrosë Kombëtare e Hetimit me urdhër të SPAK, duke sekustruar telefona dhe dosje.

Fillimisht tenderat jepeshin nga Qazim Sejdini, një padron i vjetër mes krimit të organizuar. Më pas vulën ia lanë Gentjan Llatjas një xhep i hershëm dhe i besuar i Damian Gjiknurit. Vitet e fundit, pasi SPAK po ‘palos’ kryebashkiakë dhe ministra, Llatja ia ka lënë në dorë vulën nënkryetares së Bashkisë Elbasan, Aulona Bylykbashi, e cila po firmos tendera korruptivë për bosët e drogës dhe krimit, duke krijuar çdo ditë terrenin për t’i kaluar disa vite në burg.

Përpos Gentian Sharrës, pjesë e bandës së Talo Çelës, në skenë del një tjetër personazh, Nazif Bajrami, i cili ka ‘futur në xhep’ kupolën e Bashkisë Elbasan.

Nazif Bajrami, i skeduar nga autoritetet zvicerane për trafik droge, ëshë themelues dhe pronar i kompnisë së ndërtimit Bajrami N.

Tenderat për Nazif Bajramin firmos nënkryetarja Aulona Bylykbashi. Me të tjerash, zonja Bylykbashi ka firmos edhe tenderin me vlerë 1.2 milionë euro për rikonstruksionin e shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi”, një tender ky me flamur të kuq korrupsioni, pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit.

Procedura ka qenë formale pasi fituesi është diktuar si zakonisht me pazar në tavolinë, ku ndahen fitimet, në disa raste deri në 50 % të fondit limit, duke pasur parasysh se kompania e Bajramit, sipas disa raporteve të KLSH, mashtron me zbatimin e kontratave, duke firmosur situacione false për punime të pakryera.

Gjatë një auditimi të veprimtarisë së Bashkisë Elbasan për vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit, përpos shumë gjetjeve të tjera, ka konstatuar se kompania Bajrami N shpk është shpallur fituese e tenderit
për rikonstruksionin e shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi”, pa plotësuar kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktor (Bashkia e Elbasanit).

Jo vetëm kaq. Pasi lidhet kontrata në 27 qershor 2022, Nazif Bajrami dhe administratori Andon Prifti vjedhin paratë e tenderit përmes punimeve të pakryera, pra përmes mashtrimit me zbatimin e kontratës. Abuzimi konstatohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Bajrami i skeduar për trafik droge

Në dhjetor të vitit 2020, një shkresë e klasifikuar për 10 vjet nga Interpol Tirana, informon Departamentin e Policisë Kriminale mbi të dhënat e Interpol Bernës për aktivitetin e dyshimtë të Nazif Bajramit, një biznesmen i njohur në Elbasan.

Informacioni i referohet vitit 2019 e në vazhdim, ku zviceranët e konsiderojnë biznesmenin 55-vjeçar si një person të skeduar për trafik të lëndëve narkotike, në bashkëpunim.

Në shkresën e firmosur nga shefi i Interpol Tirana, zviceranët rendisin edhe emrat e bashkëpunëtorëve të biznesmenit, numrat e telefonit të secilit dhe vendet ku e zhvillojnë trafikun.

Këta shtetas ishin anëtarë të një organizate kriminale, të përbërë nga italianë dhe shqiptarë, që trafikonte sasi të mëdha droge nga Holanda, nga Gjermania, nga Spanja në Zvicër. Ky shtetas, nga viti 2018 deri në maj të vitit 2019, ka udhëtuar me makinën e tij, Land Rover…, në Shtutgart/Gjermani, në Holandë dhe në Spanjë”, – thuhet në dokumentin sekret.

Bashkëshortja e Bajramit, ish nënkreytare e Bashkisë Elbasan

Bashkëshortja e Nazif Bajramit, Anduena Bajrami (Prifti), ka qenë nënkryetare e Bashkisë Elbasan pas vitit 2013, pranë Lalë Qazimit dhe më pas Gledian Llatja.

Gjatë kohës kur gruaja ishte nënkryetare e Bashkisë Elbasan, bashkëshorti Nazifi merrte tendera nga Bashkia Elbasan.

Çifti i bënte procedurat në shtëpi, caktonin vetë fondin limit, kriteret dhe më pas shpallnin veten e tyre fitues. Vështirë të gjendet një skemë më flagrante korrupsioni, me kaq shumë fakte dhe lidhje konkrete.

‘Pitoni i tenderave’ Eral Myftaraj ortak me Bajramin

Eral Myftaraj, i njohur si ‘pitoni i tenderave’ dhe ‘brejtësi i pyjeve’ është ortaku kryesor i Nazif Bajramit në aferat me tendera, plotësimin e dokumenteve dhe mashtrimin me zbatimin e kontratave.

Eral Myftaraj është gllabëruesi më i madh i tenderave në Qarkun e Elbasanit. Herë duke u servilosur pas deputetëve, ish ministrave dhe drejtorëve, herë duke bërë pazare, herë me mashtrime dhe pothuajse në çdo rast duke dhënë ryshfet, Eral Myftaraj po përlan të gjithë tenderat e mëdhenj në Qarkun e Elbasanit, duke mashtruar me zbatimin e kontratave dhe manipuluar volumin e punimeve.

Gjatë 7 viteve të fundit, vetëm me kompaninë e ndërtimit Meteo, Myftaraj ka marrë 45 milionë euro tendera. Mbi 6 milionë euro tendera i ka marrë me kompaninë AL-MEXWOOD, me objekt veprimtarie sudime dhe projektime në fushën e pyjeve.

‘Pitoni’ i tenderave kontrollon një kartel kompanish me veprimtari të dyshimtë, ku përfshihen Aga Solar Park Holding’s, Albanian Archives, ALMEX GREENWOOD etj.

Myftaraj ka krijuar lidhje klienteliste dhe korruptive me funksionarë publikë të Bashkisë Gramsh, Bashkisë Elbasan, Bashkisë Librazhd, disa drejtorive të Bashkisë Tiranë, Bashkisë Dimal, Rrogozhinë, Shijak, Ujësjellësit Belsh, Drejtoria e Parqeve Tiranë, Drejtoria e Arkivava, Spitali i Elbasanit, Bordi i Kullimit Korcë, Ministria e Bujqësisë etj.

Disa nga funksionarët publikë, të cilët kanë firmosur tenderat me flamur korrupsioni për Eral Myftarajn janë Erinda Fino, Tomorr Zaimaj, Luan Tabaku, Çlirim Puto, Dasantila Tahiraj, Irland Sina, Juliana Memaj, Antonela Dedej, Nuri Belba, Arben Asllani, Dritan Agolli i  FSHZH-së etj.

Shumica e tenderave janë me flamur të kuq korrupsioni, me oferta fituese gati sa fondi limit, me garë formale, me pazar në tavolinë dhe në disa raste me letra false.

Me paratë publike që ka përlarë me tenderat klientelistë Eral Myftaraj ka nisur të bëjë një jetë sheikësh, me vila, makina luksoze dhe skaf, pushime luksoze dhe argëtim në vende ekzotike, duke sfiduar drejtësinë dhe barazinë para ligjit.

Në 5 korrik 2023, Eral Myftaraj, me ndërhyrjen e një zyrtari të lartë, ka marrë një tender me vlerë 7 milionë euro nga ujësjellësi i Elbasanit. Letrat janë firmosur nga drejtori i ujësjellësit Luan Tabaku.

Prapaskena mëson se tenderi është monitoruar nga SPAK-u, duke vënë në përgjim oktapodin Eral Myftarajn, sekserë, anëtarë të KVO-së etj.

Pas finalizimit të tenderit me pazar në tavolinë, Myftaraj ka ndryshuar numrin e telefonit, ka zhdukur telefonat, dokumente dhe kompjutera.

Në maj 2023, Eral Myftaraj u përplas me grupin e mafies së druve Shaqir Alcani, për një tender me vlerë 853 mijë euro të Bashkisë Tiranë për furnizimin me lëndë drusore nëpër shkolla.