Altin Dumani ‘mpreh sërish shpatën’, por kokat e krimit ia kanë mbathur. A u tradhtua nga policia? Asnjë në pranga

Krim & Korrupsion

Publikuar: 17/05/2024

Altin Dumani ‘mpreh sërish shpatën’, por kokat e krimit ia kanë mbathur. A u tradhtua nga policia? Asnjë në pranga

Kreu i SPAK-ut Altin Dumani dhe prokurori Alfred Shehu kanë finalizuar dosjen Metamorfoza 3, duke i dhënë një tjetër godite krimit të organizuar në Shqipëri.

Duke marrë si indicie rikuperimin e bisedave në apikacionet “SKY ECC”, Dumani dhe Shehu kanë kopsitur me prova dhe fakte një tjetër dosje voluminoze për aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare.

Me urdhër të SPAK, Renea dhe FNSH kanë nisur kontrollet që në orët e para të mëngjesit në Tiranë, në Vlorë, në Lezhë, Fushë Krujë, Nikël, Kurbin etj.

Kontrollet janë ushtruar për arrestimin e ish deputetit të PS, Arben Ndoka në Lezhë. Për arrestimin Durim Bamit dhe Valter Bamit në Nikël, si dhe të vëllezërve Erlis dhe Leonard Duka në Tiranë. 

Janë lëshuar urdhër arreste për Armando dhe Elvis Ndrecën. Armando Ndreca është vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca, ndërsa Elvisi është djali i xhaxhait të ligjvënësit socialist.

Janë kryer kontrolle për kapjen e Ervis Doçit, i njohur me nofkën Visi i Po-jës. Kërkohet arrestimi i Xhevdet Troplinit, i njohur si Po-ja.

Policia ka kryer kontrolle në banesën e Fatmir Hysenit, për kapjen e tij. Janë krye kontrolle për arrestimin e Endrit Dokles dhe Plarent Dervishajt.

Në Larushk të Fushë-Krujës janë ushtruar kontroll në shtëpinë e Albert Zajës, i dënuar me 19 vite burg nga Apeli i GJKKO për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.

Sipas burimeve janë firmosur 43 urdhër arreste. Besohet se janë zbardhur disa ngjarje kriminale si dhe skema pastrimi parash, korrupsion etj.

Por, deri më tani, policia nuk ka mundur të arrestojë asnjë nga presonazhet e rëndësishëm të botës së krimit që kërkon SPAK-u.

Së pari, një pjesë e personave të shpallur në kërkim janë Dubai, oazin dhe parajsën e kokave të krimit.

Së dyti, disa nga të implikuarit, mund të kenë nuahur që me dosjet Metamorfoza 1 dhe 2 se do t’ju vijë radha, duke qenë të vetëdijshëm për komunikimet e tyre kompromentuese, dhe si rrjedhojë mund të kenë marrë masa.

Së treti, ky operecion i madh policor duket se ka humbur befasinë dhe sekretin, duke u kthyer në një formalitet. Ekziston gjithnjë dyshimi se kokat e krimit mund të jenë sinjalizuar nga informatorët e tyre në polici. Metamorfoza 1 dhe 2 treguan se disa drejtues policie ishin ushtarë të grupeve kriminale.